Kalaja e Tetovës, në vend se të jetë një lokalitet atraktiv turistik, vazhdon të jetë vend i braktisur, pa përkujdesje dhe i lënë në harresë
Urim HASIPI
Tetovë, 23 shtator – Edhe pse në vitin 2007 ishin ndarë mjete për fillimin e punëve për gërmime arkeologjike në Kalanë e Tetovës, si dhe restaurimin e së njëjtës, megjithatë kanë kaluar shumë kohë që prej atëherë e deri më tani punëve nuk u shihet fundi. Kalaja e Tetovës, në vend se të jetë një lokalitet atraktiv turistik, vazhdon të jetë vend i braktisur, pa përkujdesje dhe i lënë në harresë. Është një nga lokalitetet i cili ka peshë të madhe historike, jo vetëm për qytetin e Tetovës, por edhe më gjerë. Mjetet që janë ndarë për këtë vit janë minimale dhe mund të kryhen shumë pak punë. Nga Qendra nacionale për konservim pohojnë se kryejnë punë për aq mjete sa ndanë Ministria e Kulturës. “Këtë vit janë ndarë mjete minimale, diku rreth 330 mijë denarë, të cilat janë dedikuar për konservim, restaurim dhe rinovimin të pjesës së dëmtuar të kësaj strukture, që është pjesë e kullës së vrojtimit numër 2. Në anën e kundërt të kullës ndodhet edhe kulla numër një e vrojtimit, e cila në tre vitet e kaluara ishte shembull për intervenime mbrojtëse të kësaj natyre. Fazat e deritanishme që janë realizuar në kuadër të këtij projekti, nuk varen nga qendra nacionale për konservim, por nga mjetet që ndanë Ministria e Kulturës”, thotë Cvetanka Haxhipecova nga Qendra nacionale për konservim.
Punët rreth restaurimit dhe konservimit në Kalanë e Tetovës janë realizuar me ritëm të ngadaltë për shkak të mungesës së mjeteve. Në të kundërtën, nëse institucionet ndajnë mjete të mjaftueshme për këtë qëllim, atëherë punët do të marrin dinamikë të përshpejtuar që të arrihet deri në fazën e dhjetë. “Ne çdo vit aplikojmë me projekte me një shumë të caktuar, por punët në teren varen gjithnjë nga mjetet që aprovohen. Projekti për restaurimin e Kalasë së Tetovës është i ndarë në disa faza, tani jemi në fazën e katërt të realizimit të projektit për këtë lokalitet arkeologjik, dhe nëse vijohet të ndahen mjete, ndoshta për një periudhë të caktuar do të arrijmë deri në fazën e dhjetë. Është e vërtetë se punët shkojnë shumë ngadalë, sepse gjithçka varet nga mjetet që ndahen për këtë projekt. Aktualisht jemi të koncentruar në punët që kanë të bëjnë me përforcimin e strukturës së mureve, me qëllim që të sigurohet stabiliteti i kullës së vrojtimit”, tha Haxhipecova.
Në rajonin më të gjerë të Pollogut, shumë pak lokalitete me peshë historike nga e kaluara janë rivitalizuar. Edhe ato pak lokalitete që kanë qenë pjesë e hulumtimeve arkeologjike, megjithatë nuk kanë përfunduar apo gërmimet kanë filluar dhe kanë ngelur përgjysmë, pa u dhënë detaje se çka është gjetur. Në këtë rajon, në përgjithësi edhe pse përflitet se ka shumë lokalitete nga e kaluara, megjithatë deri më tash përveç Kalasë së Tetovës, askund tjetër nuk janë bërë gërmime apo hulumtime të mirëfillta që do të nxirrte në pah trashëgiminë e begatshme që ndodhet nën gërmadha në këtë rajon. (koha.mk)