Të gjitha partitë politike pjesë e pushtetit nuk është e mirë për demokracinë. Ndërsa “pritja prapa derës” e subjekteve më të vogla shqiptare është një lojë perfide e partive maqedonase për të dëmtuar pozicionet e partisë fituese te shqiptarët, thonë analistët
Destan JONUZI
Shkup, 8 gusht – Maqedonia për pak ditë duhet të ketë edhe Qeverinë e re, për të cilën liderët politikë po bisedojnë për të gjetur një gjuhë të përbashkët për bashkëqeverisje. Në opinion po qarkullojnë informacione të ndryshme në lidhje më atë se kush do të jetë në Qeveri e kush në opozitë, por asgjë nuk ka konkrete. Në anën tjetër flitet se të gjitha partitë shqiptare mund të jenë në qeveri. Por a duhet të ngelin shqiptarët pa opozitë?
Analisti, Faton Aliti vlerëson se ngelja e shqiptarëve pa opozitë nuk është e shëndetshme për demokracinë në përgjithësi. “Mospasja e opozitës nuk është e shëndetshme për demokracinë në përgjithësi, por nëse pjesëmarrja e tyre rezulton me realizimin e ndonjë qëllimi më madhorë në aspektin e arritjes së barabarësisë, atëherë edhe është e arsyeshme. Deklaratat të cilat aludojnë se apriori Platforma e partisë konkurrente është e parealizueshme dhe për këtë arsye nuk është problem të futen në negociata për marrëveshje në qeveri, janë naive. Nëse nuk janë naive, atëherë janë të nxitura nga egoja dhe mospasja e vetëdijes për të sakrifikuar interesin partiak në të mirë të interesit kombëtar”, deklaroi për KOHA, analisti Aliti.
Ndërkohë, analisti Blerim Hyseni thotë se praktika ka dëshmuar se “pritja pas derës” ka qenë një lojë perfide e subjekteve politike maqedonase për të dëmtuar pozicionet e partisë fituese te shqiptarët. “Fatkeqësisht, prononcimet dhe deklarimet e më hershme nga subjekte politike opozitare shqiptare se s’do e bëjnë këtë mënyrë veprimi po dalin vetëm si propagandë parazgjedhore dhe assesi si parim për veprim politik. Kjo jo vetëm që ndikon në ndarjen proporcionale të pushtetit, por në mënyrë të drejtpërdrejt ‘ulë pazarin” e koalicionit të ndonjë subjekti shqiptar me subjektin politik maqedonas. Sinqerisht kam menduar se kjo mënyrë e veprimit i takon së kaluarës te shqiptarët duke pasur parasysh vitet 2006/2008, por nuk kishim vlerësuar drejtë. Megjithatë mendoj që kjo mënyrë e veprimit PDSH-në e solli në një tkurrje prej vetëm një mandat”, shprehet Hyseni.
Gazetari Berat Azizi konsideron se për demokracinë dhe në këtë rast për qytetarët shqiptarë nuk është mirë që të gjitha partitë shqiptare të jenë në Qeveri për shumë arsye. “Partitë do të krijonin komoditetin e tyre në pushtet pa mos u trazuar dhe u kritikuar nga askush sepse në këtë rast nuk do të kishim opozitë. Roli i partive shqiptare dhe ndikimi në vendimmarrje do të minimizohej për shkak të qëndrimeve të ndryshme politike mes tendencës për të përvetësuar sukseset dhe për të larguar dështimet. Unë mendoj se futja në Qeveri e të gjitha partive politike shqiptare nuk do të ndryshoj asgjë në aspektin e përgjithshëm, sidomos tani në kohën kur vendi ndodhet në prag të katastrofës ekonomike dhe asaj shëndetësore si pasojë e pandemisë”, deklaroi për KOHA, Azizi.
Në anën tjetër, shton më tej Azizi, asnjëra parti politike shqiptare nuk ka program dhe platformë shtetformuese për të cilën do të duhej që të gjithë të jenë në qeveri bashkë me LSDM apo VMRO me të cilën do të zgjidhnin shumë çështje jetike për vendin dhe për shqiptarët. “Futjen në Qeveri unë e shikoj më shumë si një dëshirë për të kapur pushtetin dhe për të shtrirë ndikimin në masën e gjerë. Pra është një çështje e ruajtjes dhe shtimit të votës së elektoratit. Opozita duhet për shumë arsye të mos insistoje për pushtet, dhe nëse do kemi opozitë të fuqishme shqiptare atëherë do të kemi edhe pozitë të fuqishme shqiptare në Maqedoni. Opozita është korrektori më i mirë i pushtetit dhe i demokracisë në vend dhe për këtë arsye duhet të kemi opozitë e cila me çdo kusht duhet të mbrojë interesat e qytetarëve të vendit. Në shumë vende demokratike, opozita e fuqishme ka detyruar qeveritë të ndryshojnë qëndrime dhe të marrin vendime të mëdha sidomos kur bëhet fjalë për interesa gjeostrategjike, ekonomike dhe gjeopolitike”, nënvizon Azizi.
Ndryshe, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Besa, siguruan 46 deputetë. VMRO-ja fitoi 44 mandate, BDI-ja 15 deputetë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 deputetë. Ndërkaq, partia “E majta” fitoi 2 deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare në Parlamentin e ri të Maqedonisë së Veriut do të ketë një deputet. (koha.mk)