Bruksel, 28 shtator – Maqedonia në mënyrë të pakthyeshme po lëviz drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe nga kjo rrugë kthim prapa nuk ka, porositi sot në Bruksel zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani gjatë pres konferencës së përbashkët me eurokomisarin për zgjerim, Johanes Han.
Osmani, i cili në Bruksel e udhëheqë delegacionin nga Maqedonia, që dje filloi procesin e skriningut, në pres konferencë u drejtua në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze.
“Maqedonia dje dhe sot e shkruan historinë. Ky është moment të cilin moti e kemi pritur dhe për të cilin jemi përgatitur, të gjitha qeveritë e deritanishme. Më lejoni të konstatoj se kemi arritur sukses. Maqedonia në mënyrë të pakthyeshme po lëviz drejtë anëtarësimit të plotë në BE. Nga kjo rrugë kthim prapa nuk ka”, tha zëvendëskryeministri.
Han është i kënaqur nga rrjedha e deritanishme e reformave, por thekson se mbeten edhe shumë punë për të kryer.
Ai thotë se nuk ka data konkrete për zbatimin e reformave, veçanërisht në sferën e gjyqësorit.
“Nuk kam data konkrete, por deri tani jam i kënaqur për procesin i cili është realizuar. Mbetet edhe shumë punë për të kryer deri vitin e ardhshëm. Kjo përfshin dhe angazhim të madh për të arritur rezultate dhe për atë, kjo është arsyeja pse nuk duam të humbim më shumë kohë. Për këtë jemi këtu”, tha Han.