Kritiku i Kremlinit Aleksei Navalni doli nga një spital i Berlinit ku ai po trajtohej për atë që Gjermania thotë se ishte një rast helmimi me agjentin nervor Novichok. Pasi la spitalin, 44-vjeçari postoi në mediat sociale një foto të tij ulur në stol në një park në kryeqytetin gjerman. Ai shkruante se megjithëse nuk mund ta përdorte plotësisht dorën e tij të majtë, ka nisur të mësojë se si të rifitojë ekuilibrin duke qëndruar me një këmbë. Zoti Navalni u sëmur rëndë më 20 gusht në bordin e një avioni që u nis nga qyteti siberian i Tomskut drejt Moskën. Ai ndodhej në Tomsk për të kryer një nga hetimet e tij për korrupsion shtetëror. Dy ditë më vonë ai u dërgua për trajtim mjeksor në Berlin.
Zoti Navalni tha se ai do të vazhdojë të bëjë fizioterapi, ndërsa mjekët e spitalit Charite në Berlin, nëpërmjet një deklarate më 23 shtator thanë se bazuar në “përparimin dhe gjendjen e tij aktuale”, besojnë se një “shërim i plotë i tij është i mundur”. “Megjithatë është shumë herët për të vlerësuar efektet e mundshme afatgjata të helmimit të tij të rëndë”, paralajmëronte deklarata.
Autoritetet gjermane kanë thënë se provat laboratorike në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë përcaktuar që zoti Navalni ishte helmuar me një agjent kimik nga grupi Novichok, një substancë e periudhës sovjetike. Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 22 shtator Presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi shpjegim “të shpejtë e të qartë” nga Moska rreth helmimit.
Edhe disa vende të tjera Perëndimore kanë kërkuar gjithashtu që Rusia të japë shpjegime mbi rastin. Por deri më tani Moska ka refuzuar të hapë një hetim, duke thënë se ajo nuk ka pare ende prova se është kryer ndonjë krim.
Më 23 shtator Kremlini që vazhdon të mohojë çdo përfshirje në incident, tha se aktivisti kundër korrupsionit “është i lirë” të kthehet në Rusi sa herë të dojë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov foli dhe mbi një artikull të fundit të botuar në gazetën franceze Le Monde. Aty thuhej se raporti rreth të cilit Presidenti Vladimir Putin kishte biseduar së fundmi me homologun e tij francez Emmanuel Macron, se ndoshta Navalny kishte helmuar veten, kishte shumë pasaktësi. Zoti Pescov konfirmoi se çështja Navalny ishte diskutuar mes dy udhëheqësve.
Aleksei Navalny u dërgua me avion në Gjermani me kërkesë të bashkëshortes së tij pasi kishte debatur më parë me mjekët rusë të cilët i thanë se ai ishte shumë i sëmurë për të udhëtuar.
Në fillim të këtij muaji mjekët gjermanë e nxorën zotin Navalni nga një gjendje kome artificiale ndërsa shëndeti i tij po përmirësohej ngadalë. Mjekët thonë se agjenti nervor Novichok u gjet brenda trupit dhe në lëkurën e tij.
Në një postim në faqen e tij në internet më 21 shtator zoti Navalni shkruante se afati 30-ditor për policinë ruse për të kryer “një shqyrtim para-hetimor” rreth asaj që ai e quajte përpjekje për ta vrarë, kishte skaduar. Ai i kërkonte palës ruse që t’i kthejë rrobat që kishte veshur ditën kur u sëmur. Ekspertët thonë se ato janë të rëndësishme për hetimet rreth helmimit.
Zyrtarët rusë kanë ngritur pikëpyetje rreth gjetjeve të zyrtarëve gjermanë dhe deklaratave të tyre.
Brenda 30 ditësh nga ngjarja policia ruse ose duhet të nisë një hetim ose duhet ta mbyllë çështjen pasi ka kryer më parë një shqyrtim paraprak. Sidoqoftë, policia në Omsk ka thënë se po vazhdon me hetimet. Ekipi i zotit Navalni ka thënë se një shishe uji e marrë nga dhoma e tij e hotelit në qytetin e Tomskut pasi ai u sëmur ishte dërguar në Gjermani dhe sipas gjetjeve ajo përmbante gjurmë të agjentit nervor. Zoti Peskov ka thënë se sugjerimet se zoti Navalny e ka gëlltur agjentin nervor përmes një shishe uji janë “absurde”.
Në një deklaratë të lëshuar përmes llogarisë së tij në Instagram në 19 shtator, zoti Navalny e quajti rrugën e tij drejt shërimit “një rrugë aktualisht të qartë, megjithëse të gjatë”.
Në 2017 udhëheqësi i opozitës ruse u sulmua me një ngjyrues të gjelbër nga persona të panjohur në Rusi, gjë që i shkaktoi atij dëmtim të përhershëm në shikim. Dy vjet më vonë, ai u sëmur papritmas ndërsa ndodhej në paraburgim në Rusi. Mjekët rusë thanë se bëhej fjalë për një reaksion të rëndë alergjik, por ai dhe ekipi i tij këmbëngulën se ishte një helmim i qëllimshëm. Ajo çështje ende nuk është zgjidhur.