Kush duhet ta legalizojë vendkalimin ilegal në Bit Pazar?

Javë më parë, Shilegovi kishte deklaruar se pret leje nga Komuna e Çairit për mbylljen e urës jofunksionale dhe ndërtimin e një vendkalimi ku mund ta përdorin qytetarët dhe tregtarët e Bit Pazarit. Çairi ndërkohë thotë se kompetencë për vijat e bardha dhe për urën është Qyteti i Shkupit. Dhe, derisa vazhdon mungesa e koordinimit Shkup-Çair, qytetarët po rrezikojnë jetën duke kaluar mespërmes veturave

Arbër KADRIU

Shkup, 26  tetor Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit i drejtojnë gishtin njëra-tjetrës duke e lënë pezull çështjen e vendkalimit ilegal të këmbësorëve në Bit Pazar në Shkup. Nga Komuna e Çairit thonë se kjo çështje duhet të zgjidhet nga Qyteti i Shkupit, ndërkaq nga atje thonë se po këta të fundit duhet të japin leje për fillimin e punimeve për zgjidhjen e problemit në këtë vendkalim. Vendkalimi ilegal i këmbësorëve në Bit Pazar edhe sot e kësaj dite mbetet çështje e pazgjidhur nga autoritetet e institucioneve të pushtetit lokal, ndonëse ky vendkalim në fakt përdoret nga qytetarët.

Nga Qyteti i Shkupit për gazetën KOHA thonë se qëndrimin për këtë çështje e ka dhënë kreu i Qytetit, Petre Shilegov. Javë më parë, Shilegovi kishte deklaruar se pret leje nga Komuna e Çairit për mbylljen e urës jofunksionale dhe ndërtimin e një vendkalimi ku mund ta përdorin qytetarët dhe tregtarët e Bit Pazarit. “Kjo çështje duhet të zgjidhet bashkërisht me Komunën e Çairit, për fat të keq në atë pjesë ura e ndërtuar para disa viteve është jofunksionale dhe e panevojshme, unë nuk kam asnjë të drejtë të ndërhyjë pasi kjo urë nuk është projekt i imi, dhe as i investimeve tona, por unë kam kërkuar që kjo urë të rregullohet dhe të jetë e përdorshme. Nëse Komuna e Çairit më jep një pëlqim, ne mund ta mbyllim këtë urë dhe në të kundërtën të ndërtojmë vendkalim për këmbësorët”, kishte deklaruar Shilegovi.

Por, ndryshe thonë nga Komuna e Çairit. Zyrtarë të kësaj komune thonë se kjo çështje është kompetencë e Qytetit të Shkupit dhe se komuna e tyre nuk ka asnjë të drejtë për veprim. “Në lidhje me problemin që ekziston, konkretisht për vendkalimin në Bit Pazar, ju informojmë se duke e pasur parasysh faktin se vendkalimi në fjalë ndodhet në bulevardin “Krste Misirkov”, të gjitha kompetencat e veprimit në lidhje me të i ka Qyteti i Shkupit në pajtim me Ligjin për Qytetin e Shkupit, sipas të cilit, bulevardet menaxhohen nga kjo njësi e vetëqeverisjes lokale”, informojnë nga Shërbimi për Informim i Komunës së Çairit.

Ndryshe, mos pasja e një zgjidhje për këtë vendkalim mjaftë të frekuentuar deri më tani, ka rezultuar të sjell edhe pasoja tragjike. Qytetarë të shumtë theksojnë se në këtë vendkalim ka pasur disa herë edhe ndeshje aksidentale, si dhe përplasje të njerëzve, gjë e cila rrezikon jetën e qytetarëve dhe një numër të madh të tregtarëve që e shfrytëzojnë këtë vendkalim. Ndërsa sa i përket urës që ndodhet afër 5-6 metra po në atë lokacion, nuk përdoret nga qytetarët pasi pothuajse nuk është funksionale. Ajo e gjitha është e demoluar, me pllaka të dëmtuara, pa çati, ndërkohë që lifti që ekziston, që nga përurimi i saj është jofunksional. (koha.mk)