Keqpërdorimet e shumta të zbatuara nga shërbimet e ndryshme shtetërore gjatë periudhës 1954-1956, sa i përket procedurës së shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi, shkaktoi reagime dhe polemika të shumta si në opinionin e brendshëm, po ashtu edhe te faktori ndërkombëtarë. Inteligjenca shqiptare, e tërë këtë e konsideronte si një masë e marr nga qeveria komuniste që të “lirohet njëherë e mirë nga shqiptarët në Jugosllavi”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Nga viti 1956 krahas popullsisë shqiptare myslimane nga RP e Maqedonisë, filloi të shpërngulet edhe popullsia shqiptare myslimane nga Kosova, Lugina e Preshevës, Sanxhaku dhe Mali i Zi. Shpërngulja e shqiptarëve nga Kosovë lidhet ngushtë me procesin e grumbullimit të armëve, i cili proces u inicua dhe përgatitur gjatë vitit 1955, ndërsa zbatimi i tij filloi në dimrin e vitit 1956. Sekretariati Republikan për Punë të Brendshme, më 1 qershor 1956 i raportonte Kryesisë së Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës (LSPP-ë), për një vërshim të madh të popullsisë myslimane (shqiptare e boshnjake) nga Kosova, Sanxhaku, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina në RP të Maqedonisë:
“…Shpërngulja e popullsisë turke nga Republika jonë, e sidomos nga Shkupi, si dhe mundësia që u ofrohet në Maqedoni për realizimin më të lehtë të lirimit nga shtetësia dhe shkuarjes në Turqi, kushtëzoi një problem, për mendimin tonë shumë serioz. Kështu, në dy vitet e fundit vërehet një vërshim më i madh i popullsisë myslimane, e sidomos të shqiptarëve në territorin e RP të Maqedonisë, e sidomos në Shkup. Këta njerëz, duke e shfrytëzuar mundësinë për blerjen e pronës së patundshme nga popullsia myslimane e shpërngulur, maksimalisht e shfrytëzojnë atë mundësi dhe vendosen fillimisht në mënyrë individuale, e më vonë me tërë familjet e tyre…”. Sipas raportit vendosja e kësaj popullsie ishte vërejtur që nga viti 1951, mirëpo e njëjta kishte marrë përmasa të dukshme nga viti 1954 e këndej. Brenda atij harku kohorë në RP të Maqedonisë ishin vendosur gjethsej 17.257 banorë myslimanë (shqiptarë e boshnjak)) nga vendet e mësipërme , pa u llogaritur personat e moshuar dhe adoleshentët. Kjo sipas rretheve ishte me sa më poshtë vijon:
rrethi i Shkupit 15.187, rrethi i Manastirit 590, rrethi i Ohrit 4, rrethi i Tetovës 105, rrethi i Kumanovës 83, rrethi i Tito Velesit 873 dhe rrethi i Shtipit 504. Të njëjtit pas një periudhë të caktuar kohore, merrnin shtetësinë e Maqedonisë, rideklaroheshin nga shqiptarë apo eventualisht boshnjak në turq dhe më pas dërgonin lutje për tërheqjen nga shtetësie e RFPJ-së dhe nga ajo e RPM-së. Pasi kryhej tërë kjo procedurë e cila nuk zgjaste më shumë se një vjet, ata i drejtoheshin konsullatës turke në Shkup për marrjen e lejeqëndrimit (visikës) që ishte faza e fundit për t’u shpërngulur në Turqi.
Në elaboratin prej 70 faqeve që UDB-ja e hartoi në janar të vitit 1957, thuhej se ndër arsyet kryesore për një vërshim aq të madh të popullsisë myslimane në Maqedoni ishte për shkak se RP e Serbisë, shqiptarëve nuk u jepte dokument “për ç’regjistrim nga shtetësia”, kështu që ata që dëshironin të shpërnguleshin për në Turqi, fillimisht vendoseshin në Maqedoni në vend të atyre që tashmë ishin shpërngulur, me shpresë se “ç’regjistrimin e kërkuar do të mund ta marrin më lehtë” në RP të Maqedonisë.
SHPËRNGULJA GJATË PERIUDHËS 1957-1959
E ashtuquajtura “Marrëveshja Xhentlemene”, e arritur në vitin 1953, midis qeverisë turke dhe asaj jugosllave, parashihte: “shpërngulje vullnetare vetëm të nacionalitetit turk”, e jo edhe të nacionaliteteve tjera. Mirëpo, nga të dhënat që u ofruan, qartë shihet se udhëheqja komuniste jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase krahas rritjes artificiale të elementit turk në regjistrimin e vitit 1953, përdori edhe një sërë metodash tjera, kuptohet në dëm të popullatës shqiptare, si: ndërrimi i identitetit nacional të atyre qytetarëve shqiptarë të cilët shprehnin “dëshirën” të shpërnguleshin në Turqi; shpërngulje të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë pa pas nevojë ta ndërrojnë identitetit e tyre nacional etj.. Kjo e fundit fillimisht zbatohej vetëm për popullsinë shqiptare që vinte nga Kosova, ndërsa më pas mori përmasa të përgjithshme. Ja se si e përshkruante këtë situatë elaborati i lartëpërmendur i UDB-së:
“…Parimisht shpërngulja e shqiptarëve dhe krejt atyre që nuk janë ‘turq të vërte” nuk lejohet, ndërsa praktikisht kjo kryhet. Në anën tjetër: shqiptarët automatikisht ndahen në dy kategori: atyre që ‘me radhë’ /pa kufizim/ ju lejohet shpërngulja – këta janë kosovarët e migruar, dhe në ata për të cilët ende vlen qëndrimi parimor, madje edhe kufizimi – këta janë shqiptarët nga RPM-ë. Ky është një problem që jemi të mendimit se duhet të zgjidhet në kuptimin e propozimit të komisionit tonë: toleranca për lirim nga shtetësia të zgjerohet në përgjithësi mbi myslimanët /edhe shqiptarët, edhe pomakët/ që ka mbështetje në arsyetimet e lartpërmendura…”.
Keqpërdorimet e shumta të zbatuara nga shërbimet e ndryshme shtetërore gjatë periudhës 1954-1956, sa i përket procedurës së shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi, shkaktoi reagime dhe polemika të shumta si në opinionin e brendshëm, po ashtu edhe te faktori ndërkombëtarë. Inteligjenca shqiptare, e tërë këtë e konsideronte si një masë e marr nga qeveria komuniste që të “lirohet njëherë e mirë nga shqiptarët në Jugosllavi”. Shkuarja e shqiptarëve për Turqi, për ta nuk ishte asgjë tjetër vetëm si: “rezultat i qëndrimit jo të drejtë të qeverisë” ndaj shqiptarëve, “mungesë e të drejtave elementare për ta, mospërfaqësimi i tyre në organet qeveritare, mospasja e të drejtave elementare për jetë të qetë në Jugosllavi etj.”. Në kushtet e atëhershme, kur organet e sigurimit përcjellnin çdo lloj veprimtarie të saj, ajo morri guximin që t’u kundërvihet kësaj fushate, nëpërmjet formave të ndryshme. Gjëja themelore për ta ishte: “të punohet për njohurit nacionale të masave që t’u thuhet atyre se janë shqiptarë se ky vend është vend shqiptarësh dhe ata nuk duhet të shpërngulen etj.”. E tërë këtë fushatë, inteligjenca shqiptare e zhvillonte nëpërmjet nejeve, bisedave individuale, grupore, shpërndarjes së afisheve ku “ftoheshin shqiptarët të mos shkojnë në Turqi, por të rrinë këtu dhe të luftojnë për të drejtat e tyre.”. Njëkohësisht, ata do t’i shkruajnë një sërë letrash anonime konsullatës turke që të mos jep viza (visika) për shpërngulje në Turqi etj. .
Pushteti komunist jugosllav, në hap e ndiqte aktivitetin e inteligjencës shqiptare dhe për çdo lloj veprimi të saj informoheshin organet federative. Kështu, në një informatë të Mito Haxhi Vasilevit, dërguar Kërste Bullaiçit në Beograd, veç tjerash theksohej se: inteligjenca shqiptare, krahas propagandës gojore, shpërndante edhe literaturë të ndryshme “me karakter shoviniste dhe irredentiste”, dhe se: në kuadër të asaj fushate ishte edhe “tendenca që të pengohet shpërngulja e shqiptarëve nga Maqedonia Perëndimore për Turqi”, me qëllim të ruajtjes së shumicës së banorëve shqiptare me çka më lehtë do të zbatohej ideja e bashkëngjitjes së këtyre viseve Shqipërisë, dhe për këtë qëllim, shprehej më tej Haxhivasilev “në propagandën e tyre ata çdo shqiptar që shkon në Turqi e konsiderojnë si armikun më të madh të kombit shqiptar”.
Pa dyshim se këto reagime të inteligjencës dhe mërgatës shqiptare, ndikuan pozitivisht te qeveria turke, e cila nga viti 1957, i ashpërsoi kriteret sa i përket dhënieve të “visikave” për shtetasit e Jugosllavisë. Në fakt, konsulli i përgjithshëm turk në Shkup, për dallim nga vitet e mëparshme, tashti nga pala e interesuar për t’u shpërngulur në Turqi, kërkonte t’i plotësoj këto kushte: a) në familjen e lutësit të përdoret gjuha turke, si gjuhë familjare si dhe lutësi ta flet gjuhën turke; b) në vazhdimësi pas vitit 1944, para organeve kompetente shtetërore të jetë i deklaruar (si gjatë evidentimit në librin e shtetësisë, në deklaratën gjatë procedurës së dhënies së letërnjoftimit, gjatë evidentimit në librat amzë shtetërore etj.) si turk. Si përfaqësues i nacionalitetit turk do të konsiderohet vetëm ai person i cili i plotëson këto dy kritere, me atë që sa i përket kriterit (b) duhet që personi në vazhdimësi të ishte deklaruar si përfaqësues i nacionalitetit turk.
Kriteret e vendosura nga pala turke, nuk e ndërprenë në tërësi shpërnguljen, mirëpo në një farë mënyre e ngadalësoi atë. Këtë më së miri mund ta shohim nga informata e Komisionit për pakicat nacionale pranë KQ të LKM, lëshuar më 24 gusht 1959, në të cilën ofrohen të dhënat statistikore e të shpërngulurve sipas viteve: 1951, 31 banorë, 1952, 153 banorë, 1953, 1.939 banorë, 1954, 17.396 banorë, 1955, 38.045 banorë, 1956, 28.816 banorë, 1957, 27.432 banorë, 1958, 23.626 dhe viti 1959 deri me 15 mars, 6.362 banorë, apo gjithsej 143.800 banorë.
Për sa më sipër, shohim se numri i përgjithshëm i të shpërngulurve, deri me 15 mars 1959, arrinte shifrën prej 143.800 banorëve. Është e rëndësishme këtu të potencohet, se përkundër ashpërsimit të kritereve, gjatë vitit 1957 nuk vërehet ndonjë ramje rapide e të shpërngulurve, krahasuar me vitin 1956, ndërsa këtë e shohim në vitin 1958. E gjithë kjo vinte si rezultat i asaj, se autoritetet jugosllave gjatë vitit 1957, vazhdonin të mos i respektonin kërkesat e palës turke, dhe në mënyrë të njëanshme ju mundësonin qytetarëve shqiptarë të rideklaroheshin si turq.
Ky manipulim së shpejti vërehet nga konsullata turke, e cila tashti palës së interesuar i kërkonte certifikatë nga libri amzë i lindjes ku duheshe të figuroj përkatësia nacionale. Veç kësaj, me kërkesë të qeverisë turke, organet kompetente shtetërore (sekretariatet regjionale të PB, gjyqet komunale) në Maqedoni, nga fillimi i vitit 1958, e ndërprenë në tërësi ndërrimin e identitetit nacional. Deri te kjo erdhi për shkak se shumica absolute e kërkesave për ndërrimin e përkatësisë nacionale, vinin nga viset e pastra shqiptare, përkatësisht nga Kosova dhe nga rrethet e: Shkupit, Kumanovës, Tetovës, Strugës, Gostivarit, ku gjuha familjare e tyre ishte gjuha shqipe, ndërsa turqishten nuk i njihnin fare. (vijon nesër)