Shkup, 5 gusht – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dje në mesditë, në sallën Kupola e madhe u mbajt mbledhja e parë e përbërjes parlamentare në pajtim me protokollet shëndetësore për mbrojtje nga përhapja e Kovid-19 ku morën pjesë 117 nga gjithsej 120 deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik, informon Koha.mk
Deputetja më e re në këtë përbërje parlamentare është Artina Qazimi dhe vjen nga radhët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ndërsa deputetët më të vjetër janë Ilija Nikollovski nga koalicioni “Për Ripërtëritjen e Maqedonisë”.
Në rend dite të seancës konstituive ishin katër pika, nga të cilat vetëm për dy të parat u debatua. Pikat tjera të cilat parashikojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, zëvendësve të ti tij dhe anëtarët e zëvendësve të tyre të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, sipas kryetarit të përbërjes paraprake Talat Xhaferi do të diskutohet atëherë kur të krijohen kushte.
Sipas nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, Komisioni Verifikues i propozoi Kuvendit që t’i verifikojë mandatet e deputetëve të zgjedhur. Për kryetar të Komisionit, me propozim të kryetarit të përbërjes së mëparshme Talat Xhaferi, ishte zgjedhur deputetja Jagoda Shahpaska, ndërsa si anëtarë deputetët Izet Mexhiti, Bllagica Llasovska, Sonja Mirakovska dhe Safije Sadiki Shaini.
Komisioni Verifikues në mbledhjen e sotme e shqyrtoi edhe Raportin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) nga zgjedhjet e parakohshme të realizuara për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtura më 15 korrik 2020. Shpjegim për Raportin dha kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkovski.
Komisioni Verifikues, siç tha Shahpaska, konfirmoi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare për deputetë në Kuvend janë realizuar në bazë të Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për deputetë në Kuvend, numër 09-1422/1 nga 16 shkurti i vitit 2020 dhe Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, numër 09-2094/1 nga 15 qershori i vitit 2020, të miratuara nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa në bazë të dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kodit Zgjedhor.
“Zgjedhjet e parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtura më 15 korrik të vitit 2020, i realizuan Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe bordet zgjedhore. Në bazë të procesverbale nga komisionet komunale zgjedhore dhe procesverbaleve nga bordet zgjedhore Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i konfirmoi rezultatet përfundimtare”, tha Shahpaska.
Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.
Në përbërjen e re parlamentare, mandate fituan 43 gra dhe 77 burra.
Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i vendit në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Presidenti, Stevo Pendarovski veçmë paralajmëroi se planifikon të mbajë konsultime me partitë politike pas konstituimit të Parlamentit, pas çka, në pajtim me dispozitat kushtetuese, do ta ndajë mandatin për formim të qeverisë, partisë, përkatësisht partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Për shkak pandemisë, seanca e djeshme konstituive u mbajt në rrethana të posaçme. Deputetëve, mysafirëve dhe përfaqësuesve të mediumeve, gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit u është matur temperatura e trupit, pas çka iu mundësua të hyjnë në ndërtesë. Në të gjitha hyrjet u siguruan mjete për dezinfektim.
Meqenëse bëhet fjalë për rrethana të jashtëzakonshme dhe është e domosdoshme mbajtja e distancës së detyrueshme fizike mes deputetëve, Mbledhja konstituive u mbajt në Sallën e madhe të Kuvendit të RMV-së, përkatësisht në sallën e njohur në opinion si Kupola e madhe. Deputetët janë në distancë adekuate dhe me pajisje mbrojtëse.
Votimi i mbledhjes u zhvillua me dorë (me kartonë), ndërsa nga mbledhja ati transmetim të drejtpërdrejtë në Kanalin kuvendor të Servisit nacional radiodifuziv RTM. (koha.mk)