Gishti i mesit mund t’i kushtojë shumë

Davide Calabria rrezikon të dënohet nga komisionet disiplinore për një gjest të bërë pas triumfit në derbin kundër Interit. Mbrojtësi i djathtë ngriti gishtin e mesit gjatë festës me shokët e skuadrës dhe në rrjetet sociale tifozët zikaltër kanë shpërthyer në komente kundër lojtarit.

Calabria mund të dënohet nëse ndonjë nga arbitrat e ndeshjes e ka parë gjestin e tij, ose edhe në rast se një prej anëtarëve të Prokurorisë Federale e ka vënë re diçka e tillë. Duke qenë se nuk ishte një episod i dhunshëm, me provë televizive mbrojtësi i Milanit nuk mund të dënohet. Kështu gjithçka varet nga ajo që zyrtarët e ndeshjes kanë shënuar në raportin e tyre për derbin.