Tetovë, 11 korrik – Kandidatja për deputete nga rradhët e BDI-së Fisnike Bekteshi Shaqiri, sonte në sheshin e Tetovës ka ndezur atmosferën me fjalimin e saj madhështorë duke emocionuar pafund të pranishmit në këtë tubim.
Ja fjalimi i saj i plotë:
Të nderuar, në këto kohë të vështira kur secili është me pikëpyetjet e veta dhe me dilemat rreth ardhmërisë së vet, të vish me forcën e një ideali të madh nuk është hap i lehtë për t’u hedhur…Por, ne dimë të guxojmë! Për shumëkënd, idealet tona mund të duken utopike dhe të paprekshme, për disa të tjerë mund të duken vështirë të realizueshme, e për të tjerë janë të rrezikshme dhe kanosëse sepse e dinë, e dinë që ne mund t’ia dalim! Ne mbajmë premtimet tona dhe ne guxojmë të ecim përtej pritshmërive. Deri sot këtë e kemi dëshmuar, por bashkërisht edhe do ta vulosim me fitoren e radhës.
Në subjektin tonë politik, e ardhmja u është besuar të rinjve pa frikë, sepse tashmë ne e kemi përvojën! E ardhmja po u besohet duarve që tundin djepin, sepse ne besojmë se këto duar janë të shenjta! E ardhmja u besohet vajzave dhe grave që me dinjitet kanë arritur të gjejnë vendin e vet në shoqëri dhe sot vijnë para jush me besimin dhe guximin se e ardhmja mund t’u besohet atyre! Sot, dal para jush me vetëdije të plotë për përgjegjësinë morale dhe profesionale që kam, si vajzë, grua, nënë, profesoreshë universitare dhe qytetare e RMV-së, për të dhënë kontributin tim me të gjitha kapacitetet e mia! Sot unë dal para jush dhe guxoj të them se besoj në forcën njerëzore të gruas dhe sidomos në forcën mbinjerëzore të gruas si nënë.
Deri më sot e kemi dëshmuar se jemi subjekti politik i cili ka frymuar që nga dita e parë me parime proshqiptare dhe kombëtare, duke ndjekur shembullin e rilindësve tanë që besuan dhe ia dolën, pavarësisht rrethanave, pavarësisht vështirësive.
Sfidat kanë qenë të pafundme por qëndresa ka qenë arma jonë dhe fitorja jonë, sepse për vite me radhë kemi luftuar të çojmë përpara procese që janë konsideruar të pamundura dhe populli nuk e harron dorën që e ringriti në këmbë, ashtu siç nuk e fal dorën që e shtyp… Ne kemi dhënë pa kursim dhe pa dyshimin më të vogël, gjithë potencialin tonë, ndërsa ju na keni dhënë votën tuaj. Nuk pajtohem aspak me mendimet e të tjerëve se Bashkimi Demokratik per Integrim duhet të shkojë në opozitë, nuk vendos individi se kush shkon ne pozitë dhe opozitë,nuk vendos një kryetar partie për fatin e partisë tjetër, por është populli, është sovrani ,është popolli(superanus-më I larti ) ai që vendos .Populli të shpërblen dhe populli të dënon, kurse Bashkimin Demokratik per Integrim dy dekada e ka shpërblyer populli sepse ky subject politik nuk ka punuar për individin por për popullin.
Ne besojmë dhe jemi të bindur se ajo në të cilën besojmë do të realizohet, sepse populli di të zgjedhë, ndaj dhe kemi pasur besimin e tij, ndaj dhe do ta kemi prapë besimin e këtij populli, në përmasa edhe më të mëdha, edhe më bindëse! Ne flasim për të ardhmen sepse e kaluara është e dëshmuar tashmë, ne flasim për synimet tona sepse ne nuk kemi etalon matës partitë e tjera politike . Ne garojmë me vetveten dhe konkurrojmë arritjet tona me punë akoma më të madhe, me përkushtim maksimal dhe me besim se do t’ia dalim, sepse kështu veprojnë fitimtarët! Misioni ynë është shumë më i madh! Horizonti ynë nuk kufizohet në luftën për karrige! Ne kërkojmë barazi dhe përfaqësim dinjitoz në instancat më të larta. Ne besojmë se shqiptarët janë të zotët të udhëheqin një shtet, janë meritorë për të qenë në krye dhe janë të fuqishëm për vendimmarrje…kushdo që ka dyshime, kalon në anën tjetër të betejës, kalon te mosbesuesit dhe ne nuk identifikohemi me to, sepse ne besojmë, sepse unë besoj!!
Ne mundemi të kemi kryeministrin e parë shqiptar dhe ju jeni ata që mund të kontribuoni në këtë arritje të përbashkët. Pse jo? Ne posedojmë vlera dhe kapacitete, ndaj dhe kërkojmë që ky shtet për herë të parë në historinë e tij të ketë kryeministër shqiptar. Në qoftë se edhe ju si ne, i besoni këtij vizioni, bashkë do t’ia dalim! Ashtu siç ia dolëm me kryeparlamentarin e parë shqiptar, po njësoj edhe kryeministri shqiptar do të jetë realiteti të cilit bashkërisht do t’i gëzohemi pas 15 korrikut.
Dhe ne fund po e permbylli me thënien e Avni Rustemi I cili thoshte që u dasht të pëlciste pushka që të njihej Shqipria si shtet ku poashtu edhe në vendin tone u dasht të pëlciste pushka në vitin 2001 qe te njiheshin të drejtat e shqiptarëve , u dasht të pëlciste pushka që t,ju dridheshin këmbët dhe t’ju vinin mend sepse zotri ALI AHMETI ëndrën e bën realitet.