Prokurorë, ushtarë dhe oficerë të policisë po kërkojnë mëditjet e tyre të papaguar ose pagën e pushimeve përmes proceseve gjyqësore ndaj shtetit. Disa institucione përballen me llogari të bllokuara për shkak të detyrimeve të papaguara që përmbaruesit i kërkojnë prej tyre
Destan JONUZI
Shkup, 24 nëntor – Institucionet shtetërore kanë paguar të paktën 600 mijë euro vetëm në gjysmën e parë të këtij viti për detyrime të mbetura ndaj personave juridikë dhe fizik përmes përmbarimit, thonë të dhënat e platformës qeveritare “Open Finance”. Shumat arrijnë edhe deri në 17 mijë euro për një kërkesë të vetme përmbarimi. Thuajse nuk ka asnjë institucion në sistemin shtetëror, në të cilin këtë vit nuk ka “trokit në derë” përmbaruesi. Rekordi i realizimit të procedurës së një përmbarimi është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Në një ditë nga kjo ministri në përmbarim janë paguar 13 mijë euro, vetëm nga një urdhër i realizuar më 13 janar të këtij viti. Ndërsa më 30 nëntor, me 20 urdhra nga Ministria e Brendshme, një përmbarues ka tërheq 5 mijë euro.
Bazuar në të dhënat e platformës qeveritare “Open Finance”, nga fillimi i këtij viti deri më tani nga buxheti i Ministrisë së Brendshme ekzekutorët tërhoqën 4.427.651 denarë ose 72 mijë euro, në emër të personave juridikë ose fizikë. Sipas të dhënave zyrtare, Ministria e Brendshme në të shumtën e rasteve përfundon në përmbarim për shkak të mëditjeve të papaguara të pagës për punën e ndërrimit të natës ose pushimet, shtesat e orëve shtesë dhe shpërblimeve jubilare që nuk u paguhen punonjësve të policisë, kështu që përmes gjykatës punonjësit kërkojnë paratë e tyre. Ndryshe nga Ministria e Brendshme, e cila në gjashtë muajt e parë të këtij viti pagoi gati 200 mijë euro në llogaritë e përmbarimit, sipas të dhënave “Open Finance”, nga thesari i Ministrisë së Mbrojtjes për gjysmën e parë të këtij viti janë paguar përmes përmbaruesve gjithsej 4 mijë euro. Këto dy ministri merren si shembuj sepse punonjësit e tyre për disa vite në të shumtën e rasteve të drejtat e shtesave të pagave i kanë realizuar përmes procedurave gjyqësore.
Ndërkohë, arsyeja për moskryerjen e detyrimeve të papaguara të Ndërmarrjes Shtetërore “Rrugët e Maqedonisë” ndaj personave fizikë dhe juridik të cilët kanë marrë aktvendim nga Gjykata është kufiri që e ka kjo kompani, gjegjësisht Gjykata Themelore Shkupi 2 vendosi për kufirin e lejuar prej 90 milionë denarë, është vlera e mjeteve që kjo kompani mund të paguajë për përmbarim. Edhe prokurorët kanë kërkuar të drejtat e tyre për t’iu paguar mëditjet e tyre përmes përmbaruesve. Si rrjedhojë e këtij veprimi janë bllokuar edhe llogaritë e të paktën 6 zyrave të prokurorive në vend. Këto janë Prokuroritë Themelore Publike në Manastir, Tetovë, Strugë, Ohër, Prokuroria e Lartë në Manastir dhe Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Atyre u nevojiten gjithsej 160 mijë euro për të zhbllokuar llogaritë. Sipas të dhënave të “Open Finance” në gjysmën e parë të këtij viti, janë realizuar gjithsej 217 kërkesa përmbarimi nga llogaritë e prokurorëve publike në vend, në vlerë totale prej 70 mijë eurosh. Në periudhën korrik-tetor, borxhet në vlerë prej 26 mijë eurosh, janë paguar në 86 raste nga llogaria e prokurorisë përmes agjentëve të përmbarimit. Ndërkaq, vetëm në një ditë, më 5 Mars, një përmbarues gjyqësor ka inkasuar 10,822 euro nga zyra e prokurorisë për detyrime të papaguara. (koha.mk)