Organizatat joqeveritare në Maqedoni nuk e pranojnë nismën për miratimin e Ligjit për amnisti për 27 prillin. Nëse eventualisht miratohet një përmbajtje e tillë ligjore, atëherë në mënyrë indirekte politika përzihet në gjyqësor, gjegjësisht përmes këtyre hapave, do të rrënohet shteti i të drejtës që synohet të ndërtohet
Omer XHAFERI
Shkup, 29 nëntor – Amnistia për ngjarjet e 27 prillit në Parlament, për sektorin civil në Maqedoni i cili nga afër i përcjell zhvillimet dhe reformat në gjyqësore, nuk është i pranuar. Përfaqësuesja e Komitetit të Helsinkit, Hajdi Shterjova, duke folur për rrjedhën e deritanishme të procesit të reformave në gjyqësor, i komentoi edhe zërat për faljen e mundshme të të akuzuarve për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit. Në pyetjen e parashtruar nga gazeta KOHA, nëse amnistia eventuale për 27 prillin e dëmton procesin e reformave dhe pavarësinë e gjyqësorit, ajo thotë se angazhimi i tyre si grup i organizatave joqeveritare është për barazinë e qytetarëve dhe mënjanimin e momentit të mos ndëshkimit të strukturave të caktuara, fenomen ky i cili na ndjek nga pavarësia e shteti e deri më sot.
“Të shumta janë rastet kur të dyshuar, të akuzuar, politikanë apo persona të ngjashëm nuk janë dënuar apo fare nuk e kanë vuajtur dënimin me burg. Në qëndrojmë pas parimit se nëse gjykata në procedurë të drejtë dhe transparente e vërteton dënimin mbi një të akuzuar, atëherë të akuzuarit duhet të përgjigjen si të gjithë të tjerët”, theksoi Shterjova.
Për ndikimet eventuale që amnistia për 27 prillin mund ti shkaktojnë në sistemin e gjyqësorit, foli edhe Natali Petroska, nga Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë, me çka shtoi se nëse miratohet një Ligj i tillë, atëherë në mënyrë indirekte nënkuptohet se pushteti ekzekutiv përzihet në atë gjyqësor.
“Nga vetë fakti se bëhet fjalë për proces aktiv gjyqësor dhe duke i pasur parasysh zhvillimet politike aktuale, miratimi i një ligji të tillë nuk dërgon asnjë porosi tjetër, përveçse në mënyrë indirekte ndikohet mbi gjyqësorin. Vlerësoj se në këtë mënyrë rrënohet shteti i të drejtës dhe lihet porosia e mos ndëshkimit të rasteve specifike penale, për të cilën janë të interesuar të gjithë qytetarët në shtet”, tha Petrovska.
Ndryshe, në prezantimin e Raportit për nivelin e transparencës, organizimin e debateve dhe përfshirjes së OJQ-ve në përgatitjen e ligjeve reformuese, përfaqësuesit e organizatës “Blue Print”, thanë se reformat e deritanishme në sferën e gjyqësorit janë realizuar pjesërisht. Në komentimin e rrjedhës së 14 ligjeve reformuese, të parapara me Strategjinë për reforma në gjyqësor (2017-2022), Hajdi Shterjova nga Komiteti i Helsinkit, u shpreh se partitë politike, përfshirë edhe ato të opozitës, i kanë shkelur të gjitha afatet ligjore të parapara për miratimin e ndryshimeve ligjore, të cilat Maqedonia duhet ti përmbush për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian.
Pjesa dërmuese e ligjeve reformuese, në opinion janë të njohura edhe si ligje sistematike (që miratohen me dy të tretat e votave). Kësisoj përgjegjësia e përfaqësuesve në Parlament për zvarritjen e këtyre ligjeve, siç thanë përfaqësuesit e OJQ-ve, është e barabartë, qoftë për pushtetin apo edhe opozitën. Qëndrim i tyre është se nuk tolerohet të bëhen pazare për ligje, siç është rasti me Ligjin për procedurë penale, apo ai për Gjykata, në llogari të disa pikave apo marrëveshjeve politike. Miratimi i këtyre ligjeve, vlerësojnë ata, duhet të shihet në prizmin e sundimin të ligjit dhe krijimin e shteti juridik nga të gjitha palët. (koha.mk)