Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti, sot e inkurajoi udhëheqësinë e kompanisë Jugohrom të fillojë sa më intensivisht të punojë në vendosjen e filtrave. Sipas tij, mostregimi i shenjave të vullnetit të mirë nga menaxhmenti i Jugohromit është brengosëse. Përkujtoi se përmes Inspektoratit për mjedis jetësor i kanë dhënë afat të dytë menaxhmentit për t’i vendosur filtrat në mënyrë që të punësuarit të mund të kthehen në punë. “Shtyerja dhe mosvendosja e filtrave ka për pasojë mbetjen pa punë të mbi 700 njerëzve. E inkurajojmë kryesinë e Jugohromit përderisa kanë kohë, të tregojnë shenja të vullnetit të mirë dhe të fillojnë sa më intensivisht të punojnë në vendosjen e filtrave”, tha Ameti në konferencë për shtyp.
përkujtoi se Inspektorati solli vendim më 1 nëntor, të cilin menaxhmenti i Jugohromit e ankimoi pa, siç tha, kurfarë argumentimi, juridik dhe real. “Ne sollëm vendim tjetër me çka u vazhdua afati për mundësinë e vendosjes së filtrave, por deri më sot në terren nuk ka përparim të dukshëm në vendosjen e filtrave”, tha Ameti.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti i kumtoi rezultatet nga ndotja e ajrit në tetovë. Analiza është kryer në qendrën informuese të Minsitrisë së resorit, ndërsa janë analizuar katër vite një pas një, prej vitit 2014 deri në fillim të vitit 2017. “Prej vitit 2012 deri në vitin 2015 koncentrimi i PM10 në qytetin e Tetovës dhe rrethinë ishin në rritje, ndërsa në vitin 2016, duke pasur parasysh se një pjesë të vitit Jugohromi nuk punoi, ato pakësohen”, tha Ameti.
Sipas analizës, koncentrimi i grimcave PM10 në nëntor të vitit 2016, kur Jugohromi nuk punon, është për 35,1 për qind më i vogël në krahasim me koncentrimin e matur në periudhën e njejtë të vitit 2014, kur Jugohromi ka punuar me kapacitet të përgjysmuar. “Koncentrimi mesatar mujor i matur në nëntor të vitit 2016 është për 35,3 për qind më i vogël në krahasim me koncentrimin e matur në periudhën e njejtë të vitit 2015. Në janar të vitit 2017, kur Jugohromi nuk punon, koncentrimi i grimcave PM10 në ajër është për 54,9 për qind më i vogël në krahasim me periudhën e njejtë të vitit 2014, kur Jugohromi punoi me kapacitet të plotë”, tha Ameti.
Edhe tek koncentrimet e matura të PM10 në ditët e para të marsit, dallimi është i madh. Në ditët e para të marsit të vitit 2017, kur Jugohromi nuk punon, koncentrimi i PM10 është për 67 për qind më i vogël në krahasim me koncentrimin e matur në vitin 2014 kur Jugohromi punoi. Koncentrimi mesatar më 1 dhe 2 mars 2017 kur Jugohromi nuk punon është për 69,3 për qind më i vogël në krahasim me koncentrimin e matur në periudhën e njejtë të vitit 2015. Koncentrimi në fillim të marsit 2017 është për 60,4 për qind më i vogël në krahasim me koncentrimin e matur në vitin 2016, kur Jugohromi punon me kapacitet të përgjysmuar.
Minsitri informoi se janë kryer edhe analiza kimike të përbërësve të grimcave PM10 dhe rezultatet thonë se prania e arsenit dukshëm është ulur kur Jugohromi nuk punon. “Maksimalja është 5,17 ng/m3, ndërsa kur Jugohromi nuk punon koncentrimi i arsenit në PM10 është 1,68 ng/m3”, tha Ameti.