Rose Wilder Lane, gruaja amerikane që është e mirënjohur për shkrimet e saj mbi Shqipërinë, ka spikatur edhe për natyrën e pavarur e zemërgjerësinë. Lidhja dhe interesimi i saj për Shqipërinë, datojnë në vitin 1921 e deri më 1967. Në këtë vend të vogël evropian, ajo kishte lënë djaloshin Rexh Meta, shqiptarin jetën e të cilit, në mënyrë të drejtpërdrejtë a tërthorazi, Rose e ndoqi gjatë gjithë jetës. Ajo nuk u martua dhe nuk pati fëmijë të saj, megjithë lidhjet sentimentale që përjetoi. Por, gjatë gjithë jetës nuk e kurseu kujdesin dhe ndihmën, për fëmijë apo të rinj në nevojë.
Ndjenja e paplotësuar e mëmësisë, ndoshta ishte shkasi në fillim, që të kujdesej për djaloshin jetim shqiptar, Rexh Meta; më pas, për dy vëllezërit: John dhe Al Turner nga Misuri. Në vitet e fundit të jetës, ajo u kujdes edhe për një vajzë të re vietnameze, e motra e përkthyeses së saj, të cilën e ndihmoi të vendosje në SHBA dhe të hynte në universitet. Po, me sa duket, dëshirën e madhe të saj, për t’i parë të suksesshëm fëmijët që u bënë pjesë e jetës së saj, e plotësoi vetëm Roxher Mekbrajd (Roger McBride), nipi i adoptuar i saj, i biri i një botueses së saj, për të cilin, ajo ishte gjyshja e tij. Mek-brajd u bë jurist i njohur, si ndjekës i mendimeve liberale të Rose Wilder Lane.
Ai ndoqi rrugën e veprën e saj, si një prej themeluesve të neoliberalizmit amerikan. Deri në fund të jetës ai u kujdes jo vetëm për problemet ligjore e trashëgiminë e Lane, po edhe për t’i plotësuar një amanet: të ndihmonte familjen e Rexh Metës. Në vitin 1990, edhe pse vetë Rexha kishte ndërruar jetë në vitin 1985, Roxher Mekbrajd u lidh me familjen e Bora-Rozës, vajzën e Rexhës, dhe e mori atë, bashkëshortin e saj, Genc Koka, dhe dy djemtë e tyre në Shtetet e Bashkuara, ku ata jetojnë edhe sot.