Shitjet e municionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të rriten, pasi u bë e ditur se vetëm në 12 muajt e fundit, banorët kanë blerë 17 mijë e 850 tonë municione, shifër kjo e paparë ndonjëherë, transmeton gazeta KOHA. Vetëm gjatë muajit nëntor, amerikanët kanë blerë 2 mijë e 865 tonë plumba për armë zjarri, që do të thotë se importi i municionit në SHBA është rritur për 200 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjithnjë sipas hulumtuesve në firmën Panjiva. Chris Rogers, nga kjo firmë, tha se është shumë e pazakontë që një industri e këtij lloji të shënojë kaq shumë rritje. “Kjo tregon prodhuesit amerikan të armëve nuk po mund t’i plotësojnë kërkesat e konsumatorëve amerikanë”, thotë ai. Eksportuesit më të mëdhenj të municionit janë firmat “Poongsan Corporation” e Koresë Jugore, “Fiocchi Munizioni” e Italisë si dhe “Prvi Partizan” nga Serbia. Spekulohet se arsyeja që çoi në një rritje kaq të madhe të shitjeve të armatimit ka të bëjë me kandidaten për presidente, Hillary Clinton, e cila thoshte gjatë fushatës që gjatë presidencës së saj, blerjet e armëve për civilët amerikanë do të bëhet më e vështirë.