Ambasadorja Byrnes do të luajë rol të rëndësishëm me partnerët evropian drejtë marrjes së datës për fillimin e negociatave me BE-në, ndërsa prioritet i saj kyç do të jetë zhvillimi i dialogut politik. Siç ka qenë edhe deri më tash, mandati i saj do të jetë shumë i rëndësishëm për zhvillimet politike në Maqedoni, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend
Destan JONUZI
Shkup, 19 korrik – Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Maqedoninë e Veriut, Kejt Mery Byrnes në fillim të mandatit të saj ka theksuar se do të angazhohet për luftimin e korrupsionit përmes përforcimit të kapaciteteve të institucioneve të shtetit. “Do të angazhohem në avancimin e stabilitetit përmes institucioneve të fuqishme dhe mbështetjen e përpjekjeve të Qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe përforcimit të sundimit të ligjit, promovimin e prosperitetit nëpërmjet ndihmës dhe partneritetit në sektorin privat dhe përforcimin e sigurisë përmes partneritetit në lëmin e mbrojtjes”, ka theksuar Byrnes. Njohësit e zhvillimeve politike theksojnë se SHBA-ja paraqet boshtin kryesor që ka shtyrë dhe vazhdon t’i shtyjë para proceset integruese, si dhe proceset për reformimin e institucioneve të shtetit.
Profesoresha universitare, Besa Kadriu, është në një vijë me ambasadoren amerikane, ajo thotë se përveç harmonizimit të legjislativit vendor me atë të Bashkimit Evropian (BE), Maqedonia e Veriut, duhet të punojë fortë edhe në forcimin e kapaciteteve të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe parandalimin e korrupsionit. “Nuk duhet harruar se SHBA-ja është mbështetësi më i madh i shteteve të Ballkanit që aspirojnë strukturat euro-atlantike. Fokusi i mbështetjes në këtë synim madhor, përveç sundimit të shtetit të së drejtës, do të jetë pjesë e politikës permanente dhe strategjike të SHBA-së edhe gjatë mandatit të ambasadores Byrnes”, deklaroi për gazetën KOHA, Kadriu.
Nga ana tjetër, analisti Blerim Hyseni vlerëson se ambasadorja e re amerikane në Shkup vjen në kohën kur në Maqedoni po zhvillohen procese të rëndësishme në drejtim të euro-integrimeve.
“Së pari do të jetë mbështetëse e fuqishme jo vetëm gjatë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO por në veçanti pas anëtarësimit, në përgatitjen e vendit si partnerë i denjë i NATO-s . Së dyti mendoj që Byrnes do të luaj rol të rëndësishëm me partnerët evropian drejtë marrjes së datës për fillimin e negociatave me BE-në, ndërsa prioritet i saj kyç do të jetë zhvillimi i dialogut politik të brendshëm, pasi që edhe në këtë fazë angazhimi i saj i fuqishëm do të jetë më shumë se i domosdoshëm. Sigurisht që fuqia e saj si diplomate do të tentojë të arrijë të ulë tensionet politike dhe të nxisë sa më shumë dialogun pozitë opozitë. Siç ka qenë edhe deri më tash edhe mandati i saj do të jetë shumë i rëndësishëm për zhvillimet politike në Maqedoni”, deklaroi për gazetën KOHA, analisti Hyseni.
Ndryshe, ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kejt Mary Byrnes, është një diplomate karriere, e cila ka qenë e angazhuar në detyrë si zëvendës-shefe e misionit amerikan në Athinë, ndërsa paraprakisht ishte përfaqësuese e përhershme e misionit amerikan të OSBE-së në Vjenë. (koha.mk)