Në vitin 1776, miku i Thomas Jeffersonit, senatori Richard Henry Lee, shprehte mendimet e të dy atyre kur tha në Kongres, duke iu referuar myslimanëve dhe hindusve, se “liria e vërtetë përfshin religjionin Muhamedan dhe ‘Gentoo’, sikur edhe atë të krishterë”. Në vitin 1777, mbretëria myslimane e Marokut u bë vendi i parë në botë që njohu formalisht pavarësinë e SHBA-së. Në vitin 1786, kur SHBA-ja kishte nevojë për mbrojtje nga piratët e Afrikës Veriore, të cilët ia vidhnin anijet dhe ia zinin rob detarët, ajo nënshkroi Marrëveshjen e Tripolit, në të cilën thuhej se “Qeveria e SHBA-së nuk është në asnjë aspekt e bazuar te feja e krishterë, sikur që nuk ka në vetvete asnjë lloj armiqësie ndaj ligjeve, religjionit, apo rehatisë së myslimanëve”. Në vitin 1785, George Washington deklaroi se ai do t’i mirëpriste punëtorët myslimanë në Mount Vernon. Në vitin 1786, Jefferson triumfoi me projektligjin e tij për Themelimin e lirisë fetare në Virxhinia, duke bindur legjislaturën për të refuzuar me shumicë votash përfshirjen e Krishtit si autoritet fetar në këtë projektligj. Jefferson më pas pati deklaruar se kjo ishte njëra ndër tri arritjet e tij më të mëdha.
NJË UDHËTIM NGA RELIGJIONI TEK ARSYEJA
Është e qartë se disa nga etërit themelues të SHBA-së nuk e kishin aspak problem zgjerimin e lirisë fetare, për ta përfshirë islamizmin. E, islamizmi nuk është se u paraqit një ditë në SHBA, sikur ndonjë turist i eksituar. Amerika e kishte importuar islamizmin kur kishte sjellë robërit nga Afrika, ku rreth 20% prej tyre vlerësohet të kenë qenë myslimanë. Kjo nuk d.m.th. se kolonialistët nxitën përhapjen e islamizmit. Askush që është pjesëtar i ndonjë feje të caktuar, nuk dëshiron që të lulëzojë konkurrenca, feja tjetër. Toleranca nuk është e barabartë me inkurajimin. Megjithatë, kishte një shpirt gjithëpërfshirës në këtë vend të ri, i cili i bënte myslimanët që të ndiheshin të sigurt dhe të mirëseardhur. Por, mund të thuhet që, që nga ajo kohë, raporti i SHBA-së me islamizmin e ka marrë teposhtën. Dy libra të rinj rreth të qenit mysliman në botën e sotme të brishtë – ai i Omar Saif Ghobashit me titull “Letters to a Young Muslim” (Letra dërguar një myslimani të ri) dhe libri i Ali A. Rizviut “The Atheist Muslim: A Journey From Religion to Reason” (“Myslimani ateist: një udhë- tim nga religjioni, te arsyeja”) mund të na ndihmojnë që të kthehemi te ato ditë të hershme të lavdisë, kur amerikanët nuk ishin aq të frikësuar dhe mund ta shihnin botën më gjerësisht sesa vetëm “ne kundër atyre”. Kjo është një detyrë shumë e rëndësishme, meqë zgjedhjet e fundit presidenciale me të drejtë i kanë bërë votuesit myslimanë nervozë, jo vetëm në lidhje me lirinë e tyre fetare, por edhe për shkak të sigurisë së tyre fizike. Fjalimet e urrejtjes dhe krimet e bazuara te urrejtja kundër amerikanëve myslimanë kanë shënuar rritje të shpejtë. Në fillim të dhjetorit, më shumë se 300 liderë të dalluar myslimanë të Amerikës, i dërguan një letër të hapur presidentit të zgjedhur, Trump, duke kërkuar nga ai që të hiqte dorë nga disa prej njerëzve që i kishte zgjedhur si pjesëtarë të administratës së tij të ardhshme, meqë ata kishin një histori mirë të dokumentuar të paragjykimeve ndaj myslimanëve, apo ishin angazhuar që myslimanët të mos kishin të drejta të barabarta me amerikanët e tjerë”.
ARSYEJA DHE RELIGJIONI MUND TË EKZISTOJNË SË BASHKU
Libri i Ghobashit, “Letters to a Young Muslim”, flet rreth traditës letrare të një plaku të familjes, të cilat ai i bart te gjenerata e re, në këtë rast, te dy djemtë e tij adoleshentë, por edhe te të rinjtë e tjerë myslimanë në botë. Ta-Nehisi Coates kishte përdorur qasjen e njëjtë në librin e tij madhështor të vitit 2015 me titull “Between the World and Me,” i cili eksploron përvojën e shumëfishtë të të qenit zezak në Amerikë. Ghobash është njeriu adekuat që të merret me këtë çështje. I edukuar në Universitetin e Oksfordit dhe atë të Londrës, ai është ambasador i Emirateve të Bashkuara Arabe në Rusi. Mëshira dhe modestia që i vijnë atij nga feja e vet, paraqesin frymëzim për lexuesit, qofshin ata myslimanë të rinj, në kërkim të përgjigjeve në pyetjet e tyre, apo lexues jomyslimanë që duan ta kuptojnë më mirë islamizmin. Ghobash nuk e luan rolin e apologjetit të islamizmit, meqë nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Ai thotë se arsyeja dhe religjioni mund të ekzistojnë së bashku, meqë ne duhet ta përdorim inteligjencën tonë për t’i evituar interpretimet miope dhe manipuluese të shkrimeve të shenjta. Patologu onkolog Ali A. Rizvi është në pozitën e vështirë të të qenit në dy grupet fetare të cilat, sipas një ankete të vitit 2014, rangoheshin më së ulëti nga amerikanët: ateist dhe mysliman. Libri i tij, “The Atheist Muslim: A Journey From Religion to Reason”, është i tillë, sikur që premton titulli: Një analizë e thuktë e udhëtimit të Rizvit nga edukimi i tij islam, deri te refuzimi i tij të islamizmit dhe i të gjitha feve të tjera. Argumentet e paraqitura janë të mençura, të artikuluara, mirë të dokumentuara, logjike dhe të ilustruara me shumë anekdota dhe referenca të kulturës popullore. Është e qartë që Rizvi dëshiron ta shpëtojë botën nga pasojat e të menduarit irracional, duke përjashtuar çdo lloj të dhunës dhe shkatërrimit. Ai i qaset temës së tij me racionalitetin e një shkencëtari dhe me një pasion për njerëzimin, i cili është me të vërtetë frymëzues.
(Kareem Abdul-Jabbar është laureat i Medaljes presidenciale për liri dhe ish-lojtar i dalluar i NBA-së)