Padia të cilën kryetari i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq e ka parashtruar kundër të përditshmes së pavarur, Vjesti është edhe një seri sulmesh mbi gazetarinë e lirë në Mal të Zi, ka vlerësuar Vuk Marash, Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Mediave të Evropës Juglindore, transmeton gazeta Koha.
“Është dëshpëruese që kryetari i Malit të Zi, si një person, i cili tri dekada kryen funksionin më të lartë në Mal të Zi, ende nuk di parimet themelore të lirisë së medias, duke përfshirë edhe qëndrimet e Gjykatës Evropiane Për Të Drejtat e Njeriut. Para më shumë se 20 vjet në të vërtetë Gjykata Evropiane Për Të Drejtat e Njeriut ka marrë qëndrim që mediat dhe gazetarët nuk mund të dënohen për publikimin e deklaratave të personave të tjerë dhe se praktikat e tilla do të zvogëlonin kontributin e mediave në diskutimet në lidhje me çështjet e interesit publik”, ka theksuar Marash në reagimin e tij.
” Padia e Gjukanoviqit, jo vetëm që është në kundërshtim me qëndrimet e Gjykatës Evropiane Për Të Drejtat e Njeriut, por ajo është edhe jashtëzakonisht e rrezikshme , jo vetëm për Vjestin, por edhe për të gjitha mediat tjera të lira në Mal të Zi, të cilat veprojnë në një treg të vogël, dhe për të cilat të shqiptuarit e një padie të këtillë të lartë, do të paraqiste një barrierë të pakapërcyeshme të biznesit. Në të vërtetë, prandaj të shqiptuarit e një padie të këtillë nga ana e Gjukanoviqit, padyshim paraqet edhe një tjetër seri të tentimeve për shuarjen e gazetës Vjesti dhe ngufatjen e lirisë së medias në një vend që është anëtare e NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagim.
Marash ka vënë në dukje se kjo padi është vetëm një vazhdim i llogarisë që Gjukanoviq ka me gazetën e pavarur Vjesti.
“Edhe më herët ka parashtruar padi për të njëjtin qëllim, edhe kundër të cilit disa herë publikisht ka shprehur gjuhë të urrejtjes dhe nënçmime, pas së cilës në mënyrë simptomatike, gati gjithmonë kanë ndodhur edhe sulme ndaj gazetarëve dhe pronës së Vjestit. Si dëshmi shtesë se kjo padi është vetëm një sulm i Gjukanoviqit ndaj gazetës Vjesti, qëndron në faktin se Knezheviq akuza të njëjta në llogari të kryetarit të Malit të Zi i ka dhënë edhe në mediat tjera, si në Mal të Zi ashtu edhe në rajon. Megjithatë, të vetmen media që Gjukanoviq e padit për shkak të publikimit të pretendimeve të Knezheviqit, është pikërisht Vjesiti, që dëshmon se qëllimi i kësaj padie nuk është mbrojtja e pretenduar e nderit dhe dinjitetit të Presidentit të Malit të Zi, por shuarja e gazetës së pavarur Vjesti. Dëshirojmë të besojmë që gjyqësori i Malit të Zi do të shfaqë më të voglin integritet dhe profesionalizëm në punën e vet, se do të veprojë në përputhje me pikëpamjet e Gjykatës Evropiane për t ë Drejtat e Njeriut, dhe se padinë e këtillë të pakuptimtë të kryetarit të Malit të Zi do ta refuzojë sa më shpejtë që është e mundur”, konkludon Marash. (koha.mk)