Shkup, 14 mars – Punimi grafik i dizejneres Zorana Toshiq është zgjedhur për logotip të Asociacionit të Mediave të Evropës Juglindore (AMEJL), të cilin e përbëjnë gjashtë shtëpitë kryesore mediale nga Podgorica, Sarajeva, Beogradi, Prishtina dhe Shkupi.
Në konkursin për punën logotipit kanë marrë pjesë 87 punime, mes të cilëve një prej Rumanisë, një prej Indonezisë dhe një prej Anglisë. Të gjitha të tjerat janë nga vendet prej të cilave vijnë mediat anëtare të AMEJL. Autorja e punimit të zgjedhur, Zorana Toshiç është lindur më 17 maj 1996 në Llazarevc, Serbi. Shkollën fillore dhe të mesme ka mbaruar në Podgoricë. Për momentin është studente e vitit të tretë të Fakultetit të Artit figurativ në Cetinje, programi studimor dizajn grafik.
Themeluesit e Asociacionit, selia e të cilit është në Podgoricë, janë Vijesti (Podgoricë), KOHA (Shkup, Osllobogjenje (Sarajevë), AMG (Beograd), Koha Ditore (Prishtinë) dhe Slloboden Peçat (Shkup). Kryetari i parë i Asociacionit është drejtori i “Vijesti”, Zheljko Ivanoviç. Asociacioni rajonal është themeluar për qëllim të bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë, trajnimit të përbashkët të të punësuarve, këmbim të përmbajtjeve, qasjeve të koordinuara ndaj organeve dhe organizatave shtetërore dhe ndërkombëtare për shkak të avancimit të cilësisë së gazetarisë dhe përmirësimit të kushteve dhe pozitës së mediave në treg. Në arsyetimin e zgjidhjes ideore të logotipit të AMEJL Toshiç ka theksuar se ideja e saj ishte që përmes shenjës të tregojë gjashtë shtëpitë mediale, të cilat janë bashkuar për të realizuar këtë projekt.
“Janë paraqitur gjashtë vija të zeza, të cilat njëra mbi tjetrën shkojnë në një drejtim, për të njëjtin synim, ku jam munduar që vijat të sugjerojnë drejtimin përpjetë. Vijat i ndërthurë një rreth ngjyrë portokalli i cili vizualisht bashkon shtëpitë mediatike. Ngjyra portokalli është zgjedhur që të jetë e dukshme, e ngrohtë dhe të simbolizojë entuziazmin dhe të kombinojë energjinë e së kuqes dhe lumturinë e së verdhës. Tipografia është e besueshme, e qartë dhe e lexueshme, e zgjedhur që vizualisht t’i përkojë frymës së logotipit”, ka shpjeguar idenë e vet Zorana Toshiç.
Çmimin në të holla në shumë prej 500 eurove për fituesit e konkursit do ta ndajë zyra e OSBE-së në Mal të Zi, e cila ka qenë sponsor i këtij konkursi të studentëve të dizajnit nga i gjithë rajoni. Synimi i Asociacionit të AMEJL, siç është theksuar në takimin themelues, do të jetë puna e zbatimit të standardeve evropiane, të cilat ju kërkohen të gjitha vendeve të rajonit në fazën e bisedimeve paraqasëse me BE në drejtim të mbrojtjes së gazetarëve, të drejtës së lirisë së shprehjes, kushteve të drejta në treg, punës transparente dhe të pavarur të agjencive rregullatore.
Gjithashtu, qasje të përbashkët kundrejt reklamuesve të mëdhenj ndërkombëtar, bashkëpunim me organizatat profesionale në Evropë, solidaritet mes mediave të rajonit, si shkëmbim të njohurive dhe përvojave mes anëtarëve të Asociacionit.
Planifikohet organizim i trajnimit të përbashkët për anëtarët e Asociacionit në lidhje me segmentet konkrete të biznesit (shitje, marketing, video produksion, e-paper, etj.), organizim të një konference të madhe vjetore tematike në një prej qendrave rajonale, ku do të ftoheshin të gjitha mediat relevante nga rajoni, BE, ekspertët nga këto fusha, liderë politik, përfaqësues të shoqatave profesionale të rajonit dhe BE. Një prej detyrave prioritare është edhe lidhja me asociacionet evropiane dhe botërore të botuesve (INMA i WAN).