Amdi Bajram i infektuar me Covid 19, MSH kërkon identifikimin e gjithë atyre që kishte kontakt

117

Shkup, 24 tetor – Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se Kryetari i “Lidhjes së Romëve”, Amdi Bajram, i cili ndërroi jetë më herët gjatë ditës, ishte i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19).

Në njoftimin e ministrisë theksohet se testi është bërë pas vdekjes së tij, duke shtuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.

Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë thirrje që varrimi të bëhet sipas protokolleve dhe të shmangen ceremoni, ndërsa u bëjnë thirrje që familjarët dhe të afërmit të bashkëpunojnë me autoritetet shëndetësore.

Kryetari i partisë politike, Lidhja e Romëve dhe ish-deputeti në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, Amdi Bajram, mëngjesin e sotëm ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare.

Informacionin për vdekjen e Bajramit e bënë të ditur nga partia, Lidhja e Romëve të Maqedonisë (LRM).

Amdi Bajram ka lindur në Shkup në vitin 1956 dhe ka mbaruar shkollën e mesme tregtare. Ai u bë deputet për herë të parë në vitin 1994 si anëtar i Partisë për emancipimin e plotë të romëve. Dy vjet më vonë ai themeloi Lidhjen e Romëve dhe ishte kryetari i saj.

Bajram ishte deputet deri në korrik të vitit 2020.