Urim HASIPI
Tetovë, 28 shtator – Deri para disa vitesh objekti i ambulancës në fshatin Jazhincë ishte tërësisht jashtë përdorimit, kurse para disa vitesh i njëjti u rikonstrua dhe i plotësonte kushtet për punë. Por, edhe sot e kësaj dite në këtë fshat nuk ka mjek të përgjithshëm, shkruan gazeta KOHA. Pas alarmimit dhe kërkesave të pareshtura të banorëve për gjendjen e vështirë të kësaj ambulante të fshatit Jazhincë, shtëpia e Shëndetit në Tetova, mori iniciativë për ta rregulluar dhe zbukuruar në këtë gjendje që e shihni, megjithatë kjo nuk ka zgjidhur problemin. “Kjo ambulancë është e ndërtuar para 30 vjetëve, edhe atë me vet kontribut e kemi ndërtuar ne fshatarët. Mjek privat ka pasur, por tash nuk ka. Kemi qenë gjithandej, kemi kërkuar, është premtuar, por asgjë nuk është realizuar”, shprehen banorët.
Banorët ankohen dhe thonë se nuk kemi nevojë për ambulantë të bukur, por kanë nevojë për mjek. Edhe përkundër faktit se ky objekt është rinovuar që prej disa muajsh, mjek kujdestar ende nuk ka në këtë objekt. “Në një vend ku nuk ka mjek, ik prej atij vendi. Po ku të shkojmë ne 250 shtëpi sa ka fshati, ku të shpërngulemi. Jemi lënë pasdore. Para ca muajsh u rinovua ambulanca. Na thanë që do ketë edhe mjek, edhe barnatore, as njëra, as tjetra. Mund të vdes dikush që nuk ka veturë apo mjet me çka ta dërgojë deri në Vratnicë apo Tetovë”, pohon një banorë nga ky fshat.
Fshati kufitar Jazhincë ka më shumë se 250 shtëpi, afërsisht rreth 2000 banorë. Deri para disa kohësh mungesa e mjekut është arsyetuar për shkak të krizës politike në vend, por tashmë ende në këtë fshat nuk ka një mjek që do të përkujdesej për shëndetin e banorëve. Pikërisht si pasojë e kësaj mungese, nuk është e rrallë që gjendja e të sëmurëve të përkeqësohet rrugës për në spitalin e Tetovës. Banorët tashmë një kohë të gjatë kanë ngelur pa përkujdesje mjekësore dhe janë të detyruar që të shkojnë deri në fshatin Vratnicë, që është larg rreth 7 kilometra. Udhëtimi për në ambulancën më të afërt që ndodhet 7 kilometra, përbënë një sfidë të vërtet për 1500 banorët e një fshati të harruar me 200 shtëpi, që ndodhet në pikën kufitare më Kosovën. Fshati Jazhincë ndodhet 35 kilometra larg qytetit të Tetovës. “Jeta në këtë fshat përbën një sfidë të vërtetë pasi që është i harruar nga institucionet relevante, si ato komunale dhe ato shtetërore. Zgjidhja për të pasur një trajtim shëndetësorë, tani për tani duket e dhimbshme për banorët e fshatit Jazhincë, që detyrohen të presin me orë në stacionin e autobusëve në fund të fshatit, ku transporti publik ngjason shumë me itinerarin e trenave të vonuar”, thotë Ismail Selmani, banorë i këtij fshati. Krahas mungesës së mjekut, në këtë fshat nuk gjen as ambulancë private, as dentist dhe as barnatore. Pritet që nga Ministria e Shëndetësisë të dalin me qëndrim rreth kërkesës së banorë për të zgjidhur këtë problem jetik dhe të stërzgjatur. (koha.mk)