Imazhet, praktikisht të paçmueshme, nuk kanë shumë nevojë për koment. Edhe pse në Itali, vendin që ka një prej pesë ligave më të mëdha në Europë, ndodh që ambulanca të hyjë në fushë për t’i ardhur në ndihmë një futbollisti, por ngec aty sepse i mbaroi karburanti. Ngjarja është regjistruar në kategorinë e tretë italiane, në ndeshjen ndërmjet Candianas dhe Padovas. Stafi i mjekëve e hipi futbollistin e dëmtuar në ambulancë, për ta transportuar me urgjencë, por mjeti ndaloi në fushë. Pa karburant, ambulanca ngeci në terrenin e lojës, ndërsa futbollistët e të dyja skuadrave e shtynë për ta larguar nga fusha dhe të vazhdonin ndeshjen. Një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe në Shqipëri, ekzaktësisht një vit më parë. Për ata që e kanë harruar, ishte 28 Nëntori 2015. Në Pukë, për ndeshjen e Kategorisë Superiore ndërmjet Tërbunit dhe Teutës. Ambulanca duhej të transportonte me urgjencë një prej lojtarëve të Tërbunit, që rrezikonte jetën, por mjeti nuk ndizej dhe për të nxjerrë mjekët nga situata e sikletshme menduan zjarrëfikësit, të cilët e tërhoqën jashtë stadiumit. Një episod që bëri shumë bujë, por që nuk mbetet një rast i izoluar vetëm në Shqipëri.