Ambientalistët: Po dëmtohet bio-diversiteti në Sharr

31

Tetovë, 30 nëntor – Ambientalistët në vend kritikojnë pushtetin qendror se po lejon ndërtimin e hidrocentraleve në prag të shpallje së malit Sharr në Park Nacional.

Ata thonë se janë për shpalljen e malit Sharr – Park Kombëtar, por në të njëjtën kohë duke mbrojtur bio-diversitetin në ato zona. Armend Luta – njëri ndër aktivistët ekologjikë, thotë se hidrocentrali që ndërtohet në afërsi të Leshnicës mund të rrezikojë ujin e pijshëm për gjithë banorët e komunës së Tetovës.

“Ne mendojmë se me shpalljen e mali Sharr – Park Nacional, natyra do të mbrohet, duke mos lejuar prerjen e drunjve dhe mënyrave tjera që deri më tani është shkatërruar. Nga ana tjetër kemi dilemat tona se Ministria e Ambienti Jetësor nga  njëra anë dëshiron të mbrojë Malin Sharr, ndërsa nga ana tjetër ka dhënë leje për ndërtimin e disa hidrocentraleve të vogla që realisht janë në kundërshtim me natyrën dhe mbrojtjen e bio-diversitetetit në atë zonë. Bisedohet për hidrocentralin që ndërtohet në pjesën e Leshnicës, ku shumë afër saj është edhe kaptazha e ujit, që rrezikohet i gjithë uji i pijshëm, për banorët e komunës së Tetovës.”,- deklaroi aktivisti i ekologjisë, Armend Luta.

Aktivistët fajtor për këtë e shohin Ministrinë e Ekologjisë, që sipas tyre jep leje për ndërtimin e hidrocentraleve.

“Nuk mundet që nga njëra anë ta shpallësh malin Sharr – Park Kombëtar dhe ta shpallësh zonë të mbrojtur, ndërsa nga ana tjetër të shkatërrohet  duke ndërtuar hidrocentrale, kjo është e papranueshme dhe një paradoks që duhet të ndalohet, dhe për këtë ne do luftojmë deri në fund, deri sa të marrim përgjigjën e duhur.”,- theksoi Luta.

Mali Sharr përfshin territore nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Në Kosovë, Sharri është mbi 30 vite park nacional kurse në vendin tonë është premtuar më shumë se dy dekada. Për momentin, vetëm 9% e territorit të Maqedonisë ka status të parkut nacional.

Bëhet fjalë për Pelisterin, Mavrovën dhe Galiçicën. Por, edhe nëse mali Sharr do t’i shtohej kësaj liste, që do ta rriste përqindjen e zonës së mbrojtur në 12%, sërish do të ishte shumë më pak se standardi evropian.

Sipas aktivisteve vendi duhet të ketë mbi 20% të territorit të shpallur zonë të mbrojtur.