Shkup, 2 dhjetor – Ardian Nuhiu menjëherë pas dorëheqjes së Visar Ganiut, ka arritur akordin me drejtuesit e Shkupit për të marr drejtimin e skuadrës. Ai të mërkurën debutoi si trajner i Shkupit, ku skuadra e tij pësoi me rezultatin minimal 1:0 nga Sileksi në Kratovë. I kontaktuar nga gazeta KOHA, trajneri Nuhiu rrëfen emocionet e para si trajner i parë i ekipit, objektivat dhe përkrahjen e klubit që e ka. “Kur në ekip ke lojtar profesionist siç janë lojtarët e Shkupit, e ke shumë lehtë të punosh, ndërsa unë medoemos atyre do tua kthej në të njëjtën mënyrë. E them këtë pasi edhe si futbollist kam qen profesionist dhe dua që të kem një ekip të tillë ku do të respektohet secili lojtar dhe njëkohësisht vlerat e tyre. Në fakt, kjo nuk vlen vetëm për lojtarët, por për të gjithë ata që janë pjesë e ekipit dhe kësaj familje të madhe siç është FC Shkupi”, pohon Nuhiu, i cili përgëzoi lojtarët e tij për paraqitjen e bërë ndaj Sileksit në ndeshjen e tij të parë si trajner, megjithëse atyre iu mohua një gol i pastër nga ana e referit kryesor.
“Nuk kisha shumë kohë për ta përgatitur ekipin për këtë ndeshje, pasi gjithçka ndodhi për një ditë. Por, duke marr parasysh faktin që brenda ekipit jam gjatë kohë dhe e njoh karakterin e secilit lojtar, nuk e kisha problem të udhëheq ekipin. Ndaj Sileksit të gjithë dhanë maksimumin, treguan disiplinë, ndërsa me vjen keq që pas asaj loje të mirë dhe pas gjithë ati mundi, atyre u mohohet paraqitja e mirë. Është vërtet rëndë. Unë si trajner nuk do të merrem me referimin, ka njerëz kompetent dhe ata ne të ulen dhe ti analizojnë të dy golat, dhe pastaj le të shohin se cili është i rregullt, goli i jonë apo i tyre. E tëra që kërkoj është që ketë referim real, sepse vetëm ashtu futbolli do të ec përpara”, thotë Nuhiu. Ndryshe, Nuhiu thotë se objektivi i tij nuk është që të bëhet trajner i parë, dhe se dëshiron njëherë të kryen rolin e ndihmëstrajnerit, por për këtë do të vendos pas përfundimit të sezonit vjeshtor. “Objektivi im është që të udhëheq ekipin edhe në dy ndeshjet që kanë mbet, atë me Makedonija Gj.P. të dielën dhe ndeshjen kthyese të Kupës së Maqedonisë kundër Shkëndijës. Më pas do të ulem me kryetarin e klubit Ejup Ademi dhe do të bisedojmë. Unë kur kam filluar si trajner, u kam thënë se dua të jem si zëvendës, pasi vetëm kështu do të mund të mësoj më shumë. Nuk mund të bëhesh trajner për dy apo tre vite, jam ende i ri dhe dua që deri aty të arrij dal nga dal. Por, nuk do të shpejtoj me vendimet, le të kryhen ky gjysmësezon, më pas do të mendoj mirë se çfarë do të bëj”, nënvizoi më tej Nuhiu, i cili theksoi se ka përkrahje maksimale nga kryetari Ejup Ademi dhe nënkryetari Suat Alija. Ai në fund u përqendrua edhe te sfida e ardhshme me Makedonija Gj.P.
“Principet e mia derisa unë do të jem trajner, janë që në çdo ndeshje të hymë për të fituar pikët maksimale. Ashtu do të jetë edhe të dielën kundër Makedonija Gj.P.”, përfundoi Ardian Nuhiu, trajneri i ri i Shkupit. Kujtojmë, në muajin korrik Nuhiu u tërhoq nga futbolli aktiv dhe karrierën e tij vendosi ta vazhdoj si ndihmëstrajner, por ja që pas dorëheqjes së Visar Ganiut, ky post deri në fund të sezonit vjeshtor, iu besua atij. Derisa, gjatë karrierës së tij si futbollist, sulmuesi këmbëshpejtë ka luajtur për shumë klube si Shkëndija Haraçin, FC Shkupi (ish-Slloga Jugomagnat), KF Rabotniçki, KS Dinamo Trana, KS Elbasani, KF Metalurg Shkup, Steel Azin FC, Hapoel Acee AFC, KF Vardari Shkup, KF Shkëndija Tetovë, KF “11 Oktomvri”, KF Drita Bogovinë dhe së fundmi karrierën si futbollist e përmbylli te FC Shkupi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.