“Shpresoj të mund të transferohem pas disa vitesh në një klub akoma më të madh se Roma, ku do të fitoj më shumë, edhe pse do të jetë e vështirë. Ka pak klube që qëndrojnë më lart se Roma, le të themi Real, Barcelona ose Mançester Junajtedi”, është kjo deklarata që sulmuesi çek i Romës, Patrik Shik, dha gjatë intervistës për revistën çeke, “Reporter”.
Deklaratë kjo që natyrshëm ndezi një rrëmujë të madhe në kampin verdhekuq të kryeqytetit italian, që u acarua më shumë edhe nga vijimi i fjalës së sulmuesit.
“Vitin e kaluar kisha zgjedhur Juventusin, ndihesha një futbollist bardhezi, por në të vërtetë nuk isha. Zemra? Gjithçka e kaluar”, fjalë këto që kanë bërë shumë zhurmë në shtëpinë e verdhekuqve, sikurse dhe në zyrat e drejtuesve të lartë të klubit. Kështu, nën presionin e qortimeve të klubit, fillimisht Shik, tentoi të hedhë fajin te përkthimi i intervistës në italisht, që sipas tij ishte i gabuar, por më pas fshiu atë justifikim të tijin që kishte postuar në rrjetet sociale, por nuk përgënjeshtroi përmbajtjen në intervistën e dhënë për revistën çeke.
Nga ana tjetër, drejtori sportive Monçi ka folur tashmë me sulmuesin dhe në ditët në vijim do ta bëjë edhe me trajnerin Di Françesko. Tashmë drejtuesit do të vlerësojnë situatën për të vendosur nëse do të gjobisin ose jo futbollistin çek. E sigurt është që sulmuesit të Romës do t’i këshillohet që të tregohet më i kujdesshëm në media, për të evituar në të ardhmen keqkuptime të tilla.