Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, është takuar me Presidentin amerikan Donald Trump, gjatë një darke të iftarit të shtruar në Shtëpinë e Bardhë.
Çitaku ka thënë se i ka treguar Trumpit se në shtetin e Kosovës, ka kulturë tolerance dhe harmoni ndërmjet religjioneve, njofton Klan Kosova.
”Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në darkën e iftarit të shtruar në Shtëpinë e Bardhë të isha e ulur përkrah Presidentit të Shteteve të Bashkura të Amerikës, Z. Donald J. Trump.
Presidentit Trump i tregova se në shtetin tonë sekular, ka një kulturë tolerance dhe harmoni ndërmjet religjioneve.
Poashtu, e njoftova në detaje mbi sfidat me të cilat ballafaqohemi aktualisht në Kosovë dhe biseduam mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon shteti ynë i ri.
Në darkë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të administratës Amerikane, Zv Presidenti Pence, Sekretari i Mbrojtjes Shanahan, Sekretari i Thesarit Mnuchin, Ambasadorë, etj”.