Ambasadorja kroate: Po u shpjegojmë shteteve të BE’së se i keni plotësuar kushtet për vizat

Ambasadorja kroate, Danijela Barishiq, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, ka deklaruar se sipas Komisionit Evropian, Kosova i ka plotësuar kriteret.Të njëjtën gjë, thotë ajo, e ka deklaruar edhe Parlamenti Evropian. Por, sipas saj, ka ende disa shtete, të cilat po hezitojnë.

“Pra, ne po bëjmë më të mirën tonë për t’ua sqaruar këtyre shteteve që po hezitojnë se ju i keni kryer obligimet tuaja”, ka thënë Barishiq në KTV.

“Por, ju duhet të vazhdoni të punoni, sepse kjo nuk është një punë që ju e kryeni një herë dhe pastaj nuk merreni me të, por është diçka që duhet ta bëni në mënyrë të vazhdueshme”, ka shtuar ajo.

“Pra, ne do të bëjmë më të mirën tonë që të arrijmë një marrëveshje të përbashkët, por ajo çka mund t’ju them është, na ndihmoni që t’ju ndihmojmë”, ka deklaruar Barishiq.