Tiranë, 30 janar – Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka kërkuar që Shqipëria të çrrënjosë korrupsionin.
“Shqipëria të çrrënjosë korrupsionin, të ndjekë penalisht krimin e organizuar dhe të realizojë vendosmërisht sundimin e ligjit. Miratimi i reformës në drejtësi ishte një gur kilometrik madhor, por shumë do të varet nga zbatimi i plotë dhe i duhur”, ka thënë Kim, në fjalën e saj gjatë prezantimit me politikanët shqiptarë.
Diplomatja amerikane u ka bërë thirrje liderëve të partive politike që të bëjnë kompromise për ta çuar Shqipërinë drejt integrimit evropian.
“Shqipëria ka mundësinë të bëjë transformime mahnitëse në vitin 2020. U bëj thirrje drejtuesve shqiptarë – pavarësisht nëse jeni në shumicë apo opozitë, në parlament apo jo – që të demonstroni udhëheqësi të vërtetë duke marrë vendimet e vështira për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij evropiane. Kjo do të kërkojë kompromis, por një sakrificë e përkohshme e krenarisë personale patjetër që ia vlen në emër të së ardhmes së vendit”, është shprehur ambasadorja Kim, citon Ora News.tv.
Ambasadorja amerikane i ka përgëzuar partitë e opozitës jashtë Kuvendit që kanë gjetur mënyrë për të bashkëpunuar me pozitën në Kuvend për të ecur përpara me reformën zgjedhore.
“Shpresoj të ketë edhe shumë shembuj të tjerë të këtij lloj bashkëpunimi përgjatë gjithë vitit”, ka thënë ajo.
Ambasadorja Kim i ka prezantuar edhe tri prioritetet e saj gjatë misionit të saj në Shqipëri.
“Prioriteti im i parë është ta ndihmoj Shqipërinë të bëhet aleate më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë sigurie. Shqipëria po punon për të qenë edhe një udhëheqëse në Ballkan për luftën kundër terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm. Nga shoqëria civile te bashkësitë fetare, nga organet vendore e ndërkombëtare të zbatimit të ligjit deri te shkollat e arsimtarët, jemi bashkë për ta ndihmuar Shqipërinë që të zhdukë si kërcënimet vendase, ashtu edhe ato ndërkombëtare.
Së dyti, ne do të vazhdojmë të mbështesim fort zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Forcimi i institucioneve dhe praktikave demokratike do të forcojë kandidaturën e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Ne duam ta shohim Shqipërinë të luajë një rol më të fortë në familjen evropiane të demokracive.
Së treti, duam të rrisim mundësitë e biznesit si për kompanitë amerikane ashtu edhe ato shqiptare. Ka shumë potenciale të pashfrytëzuara në Shqipëri, për prodhuar, konsumuar dhe për të qenë novatorë”, ka theksuar ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, në takimin prezantues të saj me drejtues e përfaqësues të subjekteve politike të vendit.