Në aksidentin që ka ndodhur sot në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, tek vendi i quajtur Mramor, ku janë përfshirë tri vetura, kanë humbur jetën tre persona dhe katër të tjerë janë lënduar.
Në mesin e të lënduarve është edhe ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Këvëllxhëm Këllëç dhe zyrtarë të tjerë të eskortës së ambasadores.
Zyrtarë nga Qendra klinike universitare e Kosovës kanë bërë të ditur për KosovaPress, se të lënduarit janë sjellë para 45 minutave në QKUK, ku në mesin e të lënduarve është edhe ambasadorja turke dhe disa zyrtarë tjerë të Ambasadës.
Sipas tyre, gjendja e ambasadores dhe ekipit të saj nuk është në rrezik jetë, ndërsa nuk dihet ende se si është gjendja e të lënduarve tjerë, të civilëve që ishin përfshirë në aksident.
“Rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë – Gjilan, saktësisht në fshatin Mramor, ka ndodhur nje aksident trafiku ku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 6 persona, dy prej të cilëve në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërkohë që katër personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor”, theksoi zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.