Shkup, 15 shtator – Ambasadorja e SHBA-së Kejt Bërnz sot ishte për vizitë në Qendrën për logjistikë të Kryqit të Kuq në Momin Potok – Shkup ku me sekretarin e përgjithshëm të Kryqit të Kuq Sait Saiti biseduan për bashkëpunimin e deritanishëm në korrniza të Kovid operacioneve, ndërsa u njoftua edhe me sistemin e punës së organizatës humanitare.
Bërnz e falënderoi Kryqin e Kuq për punën e pabesueshme gjatë pandemisë së Kovid-19 përmes sigurimit të ndihmës për qytetarët e vendit, veçanërisht atyre të cilët më së shumti ishin goditur, ndërsa u takua edhe me një pjesë të vullnetarëve të përfshirë në aktivitetet në terren të Kryqit të Kuq.
“Ne jemi veçanërisht krenarë që jemi partnerë, gjatë viteve të fundit përmes USAID-it dhe programeve tjera siguruam ndihmë për Maqedoninë e Veriut. Një pjesë të ndihmës prej 1,5 milion dollarë të cilën e siguruam ishte direkt përmes Kryqit të Kuq për sigurim të ushqimit dhe mjeteve higjienike për fëmijët, si dhe për trajnim për shërbime psikologjike-sociale të destinuara për kategoritë më të rrezikuara në bashkësi. Por atë nuk mundëm ta bëjmë pa ndihmën e vullnetarëve, pa personat të cilët i përgatitën pakot dhe i dorëzuan deri te personat të cilëve u nevojitej. E shfrytëzova mundësinë të bisedoj me disa nga këto të rinj jashtëzakonisht të talentuar të cilët kanë ndarë një pjesë të kohës së tyre të bëjnë dallim, t’u ndihmojnë njerëzve të cilët kishin nevojë për këtë ndihmë dhe shërbim. Ata më inspiruan për të ardhmen e këtij vendi, për gatishmërinë t’u ndihmojnë bashkëqytetarëve të tyre”, tha Bërnz.
Sekretari i përgjithshëm Saiti potencoi se në suaza të Kovid operacioneve në një segment ishin mbështetur nga USAID. Kanë zbatuar aktivitete për ndihmë dhe mbështetje të popullatës së rrezikuar. Kanë ndarë pako me ushqim dhe mjete higjienike për rreth 4200 familje, është ndarë ndihmë për 1000 foshnje. Është ofruar edhe ndihmë psikosociale për rreth 3000 njerëz përmes servisit të vendosur për shërbime të tilla në 21 qytete të shtetit dhe mbi 18 operatorë.
“U dakorduam edhe më tutje të vazhdojmë me bashkëpunimin për të mirën e përgjithshme dhe ndihmë e mbështetje për popullatën e rrezikuar në shtet. Edhe njëherë u theksua partneriteti i mirë me Ambasadën amerikane dhe popullin amerikan si dhe roli i vullnetarëve dhe vullnetarizmit. Puna e Kryqit të Kuq nuk mund të paramendohet pa vullnetarët. Ata janë një fuqi bartëse në aktivitetet tona e cila edhe në të ardhmen pritet ta mbajë barën kryesore”, tha Saiti.
Ai theksoi se Kryqi i Kuq mbetet proaktiv në periudhën në vijim dhe përgatiten, sipas të gjitha vlerësimeve, për valë më të fuqishme eventuale të pandemisë këtë vjeshtë. Janë të gatshëm në periudhën në vijim përmes organizimit të shpejtë dhe riorganizimit të japin mbështetje në sistemin arsimor, të shkollave në ngritjen e vetëdijes rreth higjienës dhe mbështetjes së popullatës së rrezikuar. Një nga mbështetjet kryesore në periudhën e ardhshme, thotë, e presin nga Federata ndërkombëtare e cila do t’i ndihmojë përpjekjet e Qeverisë për ballafaqim me situatën në pjesën e sfidave humanitare.