Shkup, 23 korrik – Propozim-ligji i PP ende nuk ka arritur në Kuvend, por nëse dorëzohet gjatë ditës së sotme apo nesër, seanca kuvendore do të mund të konvokohet më 29 korrik, deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi tha se çështje për atë vallë ligji mund të miratohet deri më 15 shtator i është parashtruar edhe nga ana e ambasadores amerikane Kejt Berns në takimin e sotëm në Kuvend. Ai në këtë kontekst sqaroi se ligji mund të miratohet deri në fund të gushtit nëse ekziston pëlqim për të mes subjekteve politike në Parlament.
“Nëse sot dhe nesër ligji arrin në Kuvend, më 29 korrik mund të konvokojë seancë dhe të kalojë në lexim të parë. Pastaj në afat prej shtatë ditëve nga leximi i parë i ligjit duhet të kalojë edhe në komisionin amë, ndërsa nga data 26 deri 30 gusht mund të konvokohet seancë për lexim të dytë të ligjit. Por, kjo situatë mund të ndodhë nëse harmonizohen qëndrimet”, tha Xhaferi.
Ai informon se në Kuvend ende nuk është parashtruar as propozim-ligjii për veting që e paralajmëroi BDI-ja.
Në takimin me ambasadoren Berns, siç informon Xhaferi, është biseduar edhe për rastin “Zhvatja” ku janë zotuar për zgjidhje efikase dhe adekuate për zgjidhjen e këtij rasti.
Është biseduar edhe për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO nga ana e SHBA-së me ç’rast nga të dy palët është shprehur bindja se Maqedonia e Veriut deri në fund të vitit do të bëhet anëtare e Aleancës.
Xhaferi tha se edhe pushimi formal i deputetëve do të zgjas deri në fund të gushtit, por zakonisht tashmë nga 25-26 gushti fillojnë me aktivitet komisionet. Javën e parë pas pushimeve Kuvendit duhet ta mbajë në shtator, por seancë mund të konvokohet edhe më herët nëse ka nevojë.