Strumicë, 13 mars – Pres dhe shpresoj se në qershor vendet anëtare do të miratojnë raportin pozitiv që të mundet Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE, theksoi sot euroambasadori i BE-së në shtetin tonë, Samuel Zhbogar gjatë vizitës në Strumicë.
Shtoi se çështja më e rëndësishme për emrin me Republikën e Greqisë është mbyllur, si dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët tjerë.
“Tani nevojitet që t’i shohim reformat, të cilat i ndjekim dhe në qershor do të bëhet vlerësim dhe shpresoj se pastaj do të fillojnë bisedimet, sepse pikërisht këto bisedime do ta sjellin ndryshimin të cilin dëshirojmë ta shohin jo vetëm të rinjtë, por edhe qytetarët e vendit”, tha ambasadori Samuel Zhbogar.
Ai sot realizoi takim me nxënës të Gjimnazit “Jane Sandanski” në Strumicë në kuadër të fushatës “BE për ty”, ndërsa u takua edhe me kryetarin e Strumicës Kosta Janevski.