Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka deklaruar se është koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis.
I pyetur në një intervistë për DW mbi mesazhin e tij për partitë politike shqiptare, Soreca deklaroi se “është koha për ne që të japim rezultate, por është gjithashtu koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis. Kultura e kompromisit nuk është medoemos tipike për këtë vend; ajo duhet të bëhet një moment ku takohen interesat”.
Ai deklaroi se “gjithkush duhet të bëjë një hap përpara. Ka një urë diku dhe unë jam i sigurt, se ekziston një mënyrë për ta kaluar këtë urë dhe për të siguruar që të gjendet dialogu. Kjo është në interes të shtetasve shqiptarë që duan që ky vend të ecë përpara”.
Soreca vuri në dukje se “ne kemi një mandat të fortë nga qytetarët shqiptarë, 93% prej të cilëve duan të hyjnë në Bashkimin Europian, por gjithashtu edhe një përgjegjësi të fortë. Dhe tani është koha për ne që të japim rezultate, por është gjithashtu koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis”.
I pyetur mbi sondazhin e paraqitur mbi perceptimin e qytetarëve shqiptarë lidhur me Bashkimin Europian në Shqipëri, Soreca u shpreh se, “jemi shumë të kënaqur të shohim se populli shqiptar ende është shumë pranë Bashkimit Europian. Pothuajse 93% e qytetarëve shqiptarë, siç tregohet në sondazh, beson se anëtarësimi në BE është objektivi i tyre më i rëndësishëm. 79% e tyre gjithashtu besojnë se reforma e drejtësisë është gjëja e duhur për të bërë. Dhe vetëm 13% e qytetarëve shqiptarë besojnë se reforma e drejtësisë nuk po shkon në drejtimin e duhur”.
Ai theksoi se “reforma e drejtësisë ka qenë një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga Shqipëria. Duhet kohë, është një reformë gjigante, po ecën në mënyrë të qëndrueshme”.
I pyetur mbi vakuumin në sistemin gjyqësor, Soreca ka nënvizuar se, “po diskutoja me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi javën e kaluar dhe ai më tha se e ka finalizuar listën e kandidatëve për t’ia dorëzuar Presidentit dhe pastaj Parlamentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Shpresojmë se në muajt e ardhshëm Gjykata Kushtetuese do të rifillojë”.
Ai shtoi se “jam plotësisht i vetëdijshëm për ndikimin që kjo periudhë ka pasur në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë dhe ata kanë të drejtë, por në fakt 79% e tyre ende mbështesin reformën e drejtësisë dhe na tregojnë se sa e rëndësishme është ajo për qytetarët shqiptarë. Elementi përfundimtar që dua të shoh nga sondazhi është fakti se qytetarët shqiptarë duan që ne të kujdesemi më shumë për faktorët ekonomikë dhe socialë. Këto janë elemente që nuk janë medoemos në agjendën e diskutimit politik, por këto janë nevojat e përditshme të shqiptarëve dhe ata po i bëjnë thirrje politikës dhe rrjedhimisht edhe bashkësisë ndërkombëtare që të kujdesen edhe më shumë për anën ekonomike të jetës. Dhe ne jemi shumë të kënaqur që programi ynë, që do ta zbatojmë dhe që po e zbatojmë tashmë, përqendrohet aq shumë tek përfshirja sociale dhe zhvillimi ekonomik”.
I pyetur mbi perceptimin se reforma gjyqësore po ecën shumë ngadalë dhe askush nuk po shkon në burg, Soreca u shpreh se “dy Këshillat janë ngritur, 130 prokurorë dhe gjyqtarë kanë kaluar përmes procesit të vetingut, – 25 kandidatë të SPAK-ut do të zgjidhen tani, pritet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen së shpejti, 53 gjyqtarë të rinj janë zgjedhur javën e kaluar nga Shkolla e Magjistraturës. Pra, reforma e drejtësisë është duke ecur përpara, është e pakthyeshme. Së shpejti do të kalojmë kthesën ku reforma e drejtësisë do të bëhet një fakt i përditshëm për qytetarët shqiptarë. Kjo është shpresa jonë dhe mendoj besimi ynë”.
Sa i përket ecurisë së procesit të hapjes së negociatave me BE-në dhe mundësisë për një shtyrje për në muajin shtator, Soreca ka thënë se, “Shqipëria duhet të besojë në atë që bëri gjatë vitit të kaluar. Komisioni Europian do të nxjerrë një raport në fund të këtij muaji dhe më pas Këshilli – ju e dini dallimin mes Komisionit dhe Këshillit – do të marrë një vendim jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për afatin kohor. Dhe kjo varet tërësisht nga Presidenca Rumune e Këshillit. Kam dëgjuar ashtu si dhe ju, se ka disa shtete anëtare që mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar raport-progresin e Komisionit Europian duke pasur parasysh se ka vetëm tri javë kohë ndërmjet miratimit të raportit dhe vendimit të Këshillit. Por kjo ende nuk është vendosur, ndaj derisa të vendoset i ftoj autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të përqendrohen në këtë afat”.
“Nëse ky afat do të shtyhet për më vonë këtë vit, shpresoj vërtet që qeveria shqiptare ta përdorë mirë këtë kohë. Dhe në muajt e ardhshëm SPAK-u do të funksionojë, Gjykata Kushtetuese do të rikthehet dhe ndoshta do të kemi edhe një zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR mbi ligjin zgjedhor”, përfundoi Ambasadori Soreca/ATSH.