Ambasadori gjerman: Përshëndesim vendimin e parlamentit shqiptar për votimin e anëtareve të Gjykatës Kushtetuese

Tiranë, 11 nëntor – Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf ka reaguar pas votimit të dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese në Parlament. “Në rrugën drejt një Gjykate Kushtetuese funksionale është e rëndësishme, që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre në emërimin e gjykatësve kushtetues dhe të mos humbin fokusin”, deklaron Zingraf.

Ai ka thënë se Bundestag-u Gjerman e ka theksuar në vendimin e tij se sa e rëndësishme është rivendosja në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në

“Ne përshëndesim vendimin e sotëm të parlamentit shqiptar. Bundestag-u Gjerman e ka theksuar në vendimin e tij të datës 26 shtator 2019 se sa e rëndësishme është rivendosja në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përforcimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor”, ka thënë ai.(koha.mk)