Ambasadori gjerman: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira – Asociacioni të krijohet në harmoni me Kushtetutën

Prishtinë, 29 shtator – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira politike, sepse nuk ka më kohë për shtyrjen e problemeve të pazgjidhura.

Qeveria gjermane, thekson ambasadori Rohde, e ka vendosur në prioritet dialogun Kosovë – Serbi, ndërsa po punon që Kosova të marrë së shpejti liberalizimin e vizave.

Në një intervistë për Radio Kosovën, ambasadori gjerman ka theksuar se vizita e dy këshilltarëve, atij të Gjermanisë dhe Francës për çështjen e dialogut, kishte për qëllim që t’ua bëjë të qartë të gjitha palëve se duhet të merren vendime të vështira politike.

Advertisements

“Shpresojmë se fundi i dialogut do të sjellë me vete edhe fundin e të gjitha problemeve ekzistuese aktuale. Gjatë vizitës së kancelarit gjerman Scholz në Kosovë, ai theksoi ato që Qeveria gjermane i ka nënvizuar gjithnjë; se të dy vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa është e paimagjinueshme që Bashkimi Evropian të pranojë dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin. Pra, është plotësisht e qartë se njohja reciproke, duhet të jetë rezultati përfundimtar i procesit të dialogut dhe kjo është e qartë për ne. Tani si do të vijë deri te ky përfundim? Unë mund të them se ka shumë rrugë që na shpien në krye”, tha Rohde.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ambasadori gjerman thekson se me marrëveshjen e Brukselit, Kosova ka marrë për obligim edhe themelimin e Asociacionit të komunave serbe dhe se pret që kjo marrëveshje të zbarohet në praktikë.

“Ne presim që edhe kjo marrëveshje të zbatohet në praktikë, natyrisht në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe natyrisht që Asociacionit të mos fokusohet si një ‘republikë serbe’”, ka deklaruar ambasadori Rohde.

Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, Rohde ka deklaruar se beson që liberalizimi do të ndodhë shpejt.

“Nëse vendimi merret këtë vit, kërkohet pak kohë për të filluar zbatimi i vendimit, pra dy-tre muaj. Unë besoj se nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të flasim më për këtë temë”, u shpreh ambasadori gjerman.