Ambasadori francez, Kristian Timonie sot ishte për vizitë në Dibër, ku u takua me kryetarin e komunës, Ruzhdi Lata dhe mori pjesë në hapjen e ekspozitës, ndërsa pati takim edhe me profesorë të cilët në institucionet arsimore ligjërojnë gjuhën frënge.
Pas takimit Lata tha se me Timonie kanë biseduar rreth zhvillimit të bashkëpunimit të Dibrës dhe qytetit francez If, të cilët janë vëllazëruar, si dhe për gjendjen politike në Maqedoni. Diplomati francez theksoi se Dibra edhe në Francë njihet për tolerancën fetare dhe bashkëjetesën midis bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare. Ai e potencoi mbështetjen e vendit të tij për Maqedoninë dhe shfaqi optimizëm për zgjidhjen e shpejtë të krizës politike në vend.
“Jam optimist se do të gjendet zgjidhje për krizën politike. Janë të nevojshëm hapa konkretë, për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve. Franca e mbështet Maqedoninë dhe pret që të vazhdojë rruga e integrimit të saj në BE dhe NATO”, theksoi Timonie. Në Qendrën për kulturë, të dy morën pjesë në hapjen e ekspozitës artistike të nxënësve të disa komunave me temë “Ndal diskriminimit”, që u realizua me mbështetjen e Ambasadës së Francës në bashkëpunim me Qendrën për zhvillim të qëndrueshëm të bashkësisë.