Shkup, 26 prill – Nën moton “Pastro, Posto në Tuiter”, sot u mbajt aksion ekologjik vullnetar për pastrimin e bregut të Vardarit me çka u përfshinë brigjet e të dy anëve të lumit në rajonin qendror të qytetit të Shkupit.
Aksionin, i cili promovohej edhe përmes Tuiterit, e organizuan Birraria e Shkupit, Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe kompania Pakomak, ndërsa në aksion u përfshinë edhe ambasadori britanik Çarls Geret dhe ambasadori i SHBA-së Xhes Bejli me ekipet e tyre.
Llambe Patçe, menaxher për marrëdhënie me publikun dhe komunikim në Birrarinë e Shkupit tha se përmes aksioneve të tilla dëshirojnë të dërgojnë porosi dhe apel drejtë kompanive të tjera dhe gjithë shoqërisë se të gjithë duhet ta ndërmarrin pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe më shumë të angazhohen në zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit, me çka do të krijojmë të ardhme të qëndrueshme për ne dhe për gjeneratat e ardhshme.
Ambasadori holandez, Vilem Vauter Plomp i përshëndeti pjesëmarrësit e aksionit vjetor, i cili njëkohësisht është edhe pjesë e aktiviteteve për shënimin e “Ditës së Mbretit” – festa kombëtare e Holandës.
“E bashkuam të bukurën me të dobishmen dhe edhe një herë tentuam ta japim kontributin tonë për zvogëlimin e ndotjes së ajrit i cili është problem për njerëzit dhe natyrën. Mënyrë e vetme efikase për tejkalimin e përhershëm të këtij problemi është më shumë punë, angazhim dhe bashkëpunim në mes sektorit publik, kompanive dhe qytetarëve. Me angazhimin tonë të sotëm dëshirojmë të tregojmë se secili nga ne mund të jetë shembull personal për të tjerët dhe ta inkurajojë zgjidhjen e çfarëdo problemit”, theksoi Plomp.
Ky është aksioni i tretë ekologjik me radhë të cilin e organizojnë Birraria e Shkupit, Pakomak dhe Ambasada e Holandës. Në dy aksionet e mëparshme ishin pastruar bregu dhe ujërat e liqenit të Matkës, si dhe bregu i lumit Vardar. Mbështetja gjithëpërfshirëse logjistike për transport adekuat, selektim dhe riciklim të mbeturinave të grumbulluara u mundësua nga Pakomak.