Ambasada amerikane në Beograd reagoi pasi ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, iu bashkua një fushate në internet, duke shkruar në bankënotën 100-dollarëshe me alfabet cirilik “Kosova është Serbi”. “Në vend se të shkatërrojë bankënotën me imazhin e shkencëtarit të madh amerikan dhe burrështetasit, Benjamin Franklin, ministri Daçiq do të mund të mendonte ndoshta për thënien e tij: ‘Ji në luftë me veset tuaja, e në paqe me fqinjët”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Beograd dërguar Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se fushata, në të cilën ka marrë pjesë edhe zyrtari i lartë serb, është denigruese për vetë serbët. Daçiq, në një deklaratë për gazetën serbe “Blic”, e arsyetoi qasjen e tij, duke thënë: “Kjo është politika jonë shtetërore, këtë e them vazhdimisht dhe pse mos ta shkruaj”. Ai po ashtu tha se paratë nuk ishin të tijat dhe se qasja e tij nuk ka lidhje me Shtetet e Bashkuara. Sipas mediave serbe, Daçiq tha se fjalët “Kosova është Serbi” do t’i shkruante në bankënotën e secilit vend që e thotë të kundërtën.
Në mbrojtje të ministrit Daçiq u shpreh udhëheqja e Partisë Socialiste të Serbisë, e cila kryesohet nga Daçiq. “Mbi shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, bëhet presion i madh, me kërcënime të hapura për vdekje”, tha Vlladan Zagragjanin, zyrtar i Partisë Socialiste të Serbisë.