Ankara, 6 nëntor – Shërbimet amerikane konsullore në Turqi pjesërisht e kanë ripërtërirë procesin e dhënies së vizave, kumtoi sot Ambasada amerikane në Ankara. Një burim nga qeveria turke theksoi se Ankaraja me siguri do ta ndjekë hapin e tillë të Uashingtonit, që do të ishte hyrje në tejkalimin e krizës diplomatike midis dy vendeve. Lëvizja e konsullatave amerikane, vjen drejtpërdrejtë para vizitës së kryeministrit turk Binalli Jëldërëm në Uashington. Pothuajse një muaj ishte suspenduar dhënia e vizave amerikane për shtetasit turq, që ishte përcjell me përgjigje reciproke të Ankarasë. Kriza diplomatike filloi kur autoritetet turke arrestuan një nëpunës nga kombësia turke në konsullatën amerikane për shkak të gjoja lidhjeve me predikuesin Fetulla Gylen, i cili jeton në SHBA dhe të cilin qeveria turke e konsideron si organizator në tentimin për grusht shtet më 15 korrik të vitit të kaluar. “Misioni i SHBA-së në Turqi vazhdoi me procesimin e vizave në bazë të kufizuar”, theksohet në kumtesën e sotme të Ambasadës. Megjithatë, në kumtesë shtohet se intervistat për marrjen e vizës do të limitohen dhe me siguri do të duhet një periudhë më e gjatë për miratimin ose refuzimin e tyre.