Emmy Noether mposhti seksizmin dhe antisemitizmin për t’u bërë një matematiciene e madhe dhe mike e Einstein-it
Amalie Emmy Noether ka lindur më 23 Mars 1882 në një qytet Bavarez të Erlangen. Babai i saj Max Noether është konsideruar si një nga matematicienët më të shkëlqyer të shekullit XIX nga Leon Lederman dhe Christopher Hill në librin e tyre “Simetria dhe Universi i Bukur” dhe ajo po ndiqte gjurmët e tij. Një rrëfim në revistën “Science News” me 23 Qershor 2018 mbante titullin “Në jetën e saj të shkurtër, matematicienia Emmy Noether ndryshoi fytyrën e fizikës”.
Sidoqoftë, si shumë gra të tjera në shkencë, për të nuk ishte një rrugë e lehtë. E privuar nga studimi zyrtar në universitet, për arsyen e thjeshtë se ishte femër, Noether shkoi të mbaronte shkollën e përgjithshme dhe në vitin 1900 u certifikua për mësimin e anglishtes dhe frëngjishtes. Ajo më vonë u lejua të merrte pjesë në klasat e matematikës në Universitetin “Erlangen-Nuremberg”, aty ku kishte mësuar edhe i ati i saj dhe në fund mori diplomën e nivelit të parë. Në vitin 1904 ajo u lejua të regjistrohej në një program doktorature në universitet dhe tre vite më vonë, mori doktoraturën. Ajo shpenzoi afërsisht 8 vite atje duke punuar pa rrogë dhe pa pozicion zyrtar.
Në vitin 1915, ajo shkoi në Universitetin Gottingen, ku për herë të parë u autorizua të jepte leksione, por vetëm si “asistente” nën emrin e një mashkulli anëtarë i Fakultetit. Ajo nuk mori rrogë deri vitin 1923. Sidoqoftë, aty nga viti 1915, shembëlltura e Noether ra në sy të kolegëve të saj. David Hilbert dhe Felix Klein, të dy matematicienë të famshëm, i kërkuan asaj ndihmë. Kishte dalë një problem me teorinë e re të Albert Einstein, relativitetin e përgjithshëm që ishte prezantuar disa muaj më parë. Dukej se puna e Einstein-it nuk i përmbahej një principi të njohur si konservimi i energjisë që thotë se “energjia mund të ndryshojë formë, por nuk mundet kurrë të shkatërrohet”. Energjia totale supozohet të mbetet e njëjtë.
Ajo e zgjidhi këtë problem me një nga teoremat e saj që kishte provuar atë vit. Shkrimtari amerikan i shkencës, Steve Nadis shkruajti në vitin 2017, “duke treguar se energjia mund të mos ruhet lokalisht, pra në një zonë arbitrare të vogël të hapësirës, por që çdo gjë funksionon kur hapësira është mjaftueshëm e madhe”. Nadis vazhdon, “Teorema tjetër që do të kishte përfundimisht një ndikim shumë më të madh zbuloi lidhjen e ngushtë midis ligjit të konservimit (siç është konservimi i energjisë) dhe simetrisë së natyrës, një lidhje që fizikanët e kanë shfrytëzuar që atëherë”.
“Sot, kuptimi jonë i tanishëm për botën fizike që nga grimcat subatomike e deri te vrimat e zeza është i bazuar thellësisht mbi këtë teoremë të njohur thjeshtë si Teorema Noether”, shkruan Nadis. Në vitin 1918, Noether publikoi punën e saj për të cilën fizikani teoricien amerikan, Frank Wilczek, në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts ka thënë: “Ajo teoremë ka qenë ylli drejtues për fizikën e shekullit 20 dhe 21”. Një artikull në “Arkivën e Grave Hebreje”, nga Saunders MacLane, një nga studentët e saj, thotë në vitin 1920 “ajo ktheu vëmendjen e saj te algjebra me trajtesa deçizive aksiomatike të teorisë së idealeve që aplikoheshin në teorinë e numrave (për të faktorizuar numrat e plotë algjebrik) dhe në gjeometrinë algjebrike (lakoret dhe sipërfaqet e definuara nga ekuacionet)”.
“Ajo ka frymëzuar shumë studentë dhe në veçanti BL Van der Waerden, i cili ka mbajtur leksione brilante duke ndjekur idetë e saj dhe që më pas i prezantoi ato në tekstin e tij të famshëm ‘Algjebra Moderne’ që revolucionarizoi këtë subjekt”. Në vitin 1933, me ngritjen e Gjermanisë Naziste, Noether u shkarkua nga pozicioni i saj në Gottingen, por në shtator, me ndihmën e Einstein-it, ajo mori një ftesë për profesoreshë në ShBA në kolegjin “Bryn Mawr” në Pensilvani. Ajo gjithashtu dha leksione në Institutin për Studime të Avancuara në Universitetin “Princeton”. Sidoqoftë, në prill të vitit 1935 ajo iu nënshtrua një operacioni për të hequr tumorin në mitër dhe vdiq nga një infeksion pas operacionit.
Në vitin 2015, një artikull në Washington Post citon një letër të Einstein-it dërguar the New York Times pas vdekjes së Noether. “Në gjykimin e matematikanëve të gjallë më kompetent”, shkruante njeriu i madh “Zonjusha Noether ishte gjeniu krijues më domethënës i matematikës që kemi parë deri më tani, qëkur filloi edukimi i lartë për gratë”.