Dani Alves mund të rikthehet sërish në La Liga këtë muaj. Një gjë të tillë e ka nënkuptuar vetë lojtari brazilian, i cili jep një mesazh kthimi në shtëpi nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në “Twitter”. Një bashkim me “dashurinë e parë” në kampionatin spanjoll, Seviljën, është ajo që pritet të ndodhë gjatë kësaj merkatoje.
“Siç e thotë edhe shprehja: Djali i mirë kthehet gjithmonë në shtëpi”, ishin fjalët e Dani Alves që janë shoqëruar nga një foto e tij në kohën kur ishte pjesë e klubit andaluzian. Në radhët e Seviljës braziliani 37-vjeçar qendroi për plot 5 sezone e gjysmë, nga ku edhe siguroi hapin e madh në karrierë, kontratën me Barcelonën, klub me të cilin fitoi trofetë më të rëndësishëm në futboll.