Shkup, 24 nëntor – Monografia – “Njeriu që ngjalli shpirtin e një kombi” e autorit Besnik Emini i është kushtuar jetës dhe veprës së veprimtarit të njohur shkupjan Alush Hamidi. Në këtë monografi kushtuar pishtarit të arsimit, sportistit dhe intelektualit Alush Hamidi janë të përfshirë jeta dhe veprimtaria e tij e larmishme, vlerësimet e shumë shokëve e bashkëpunëtorëve të tij nga jeta publike, të cilët flasin për veprën e protagonistit, shkruan gazeta KOHA.
Autori i Librit, Dr.Besnik Emini për KOHA thotë se në libër është përfshirë e gjithë veprimtaria kulturore dhe atdhetare, por një pjesë e monografisë janë edhe fotografi të veprimtarisë të Alush Haidit. “Shpesh herë kisha rastisur të dëgjojë për këtë veprimtar fjalë të mëdha, për aktivitetet e tij të ndryshme kulturore dhe shoqërore, nga njerëz të cilët janë të inkuadruar në jetën politike, shoqërore dhe kulturore. Nga këtu lindi edhe ideja për përpilimin e një Monografie, por ideja nuk ishte vetëm se e imja, ajo burojë edhe nga familja e Hmidit, e cili ruante me nostalgjinë më të madhe të gjithë materialin ‘arkivor’ i cili është përdorë në këtë Monografi. Duke filluar nga tekste të ndryshme të cilat vet ai i ka shkruar, pra ka qenë autor, pastaj një material i bollshëm fotografik, dhe materiale dhe dokumente tjera përcjellëse, për themelimin e shoqatave të ndryshme, festivaleve të cilat ai vet i kishte ideuar dhe organizuar”, shprehet Emini për KOHA, tek sa sqaron përmbajtjen e Monografisë.
Ishte një material i bollshëm, shprehet më tej Emini, dhe mjaftonte për tu hartuar një monografi, andaj edhe iu futëm edhe këtij projekti. “Në libër janë përfshirë edhe disa intervista të shtypura nëpër gazeta dhe revista të ndryshme. Duke pas parasysh karakterin e tyre kombëtar për kulturën shqiptare, ne e pamë të arsyeshme që ti hyjmë kësaj pune. Pra të bëjmë një Monografi, në të cilin do të ruhet ky thesar kombëtar me qëllim që të mos zhduket. Kjo vepër nuk është bërë vetëm sa për të larë një borxh ndaj Alush Hamidit si veprimtar i cili gjithë jetën ja ka kushtuar sportit, arsimit dhe organizimit kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe të tërheqim vëmendjen për këtë kontribut të tij i cili sot gjithsesi se ushtrohet me forma të ndryshme, por jo në atë formë të cilën ai dinte ta bënte më së miri”, thekson autori i librit Dr.Besnik Emini.
Përveç punës së tij si mësimdhënës, thekson autori, qoftë në shkollën “Liria”, qoftë në Gjimnazi “Zef Lush Marku”, ai gjithë kohën e tij ia përkushton organizimit kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë, duke i tubuar të rinjtë të bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme kulturore. Një pjesë e librit është me fotografi për shkak se ai kishte formuar gjatë veprimtarisë së tij edhe Klubin e fotografëve amator. Ndërkohë së fundmi edhe një sallë sportive në Çair të Shkupit u emërua dhe mban emrin e tij. (koha.mk)