ASH me 65 për qind të kandidatëve dhe 35 për qind për BESËN është marrëveshja që partia e Bilall Kasamit ka pranuar për koalicion me partinë e Ziadin Selës. ASH do të ketë bartës në Njësinë 6, në 5 dhe në 2, ndërsa në 6 ndarja të jetë 50=50. Alternativa ndërkohë ka ofertë më të butë – në Njësinë 6 ka pranuar t’i takojë numri 4 apo 5 në listë, derisa bartësin e ka kërkuar në Njësinë 2 zgjedhore. “Alternativa kërkon shpëtim me ofertën, shpresojnë të fitojnë së paku dy deputet”
Destan JONUZI
Shkup, 21 janar – Sot apo nesër pritet të publikohet koalicioni opozitar shqiptarë për zgjedhjet e 12 prillit. Megjithëse me pak shpresa, Lëvizja BESA akoma shpreson se Aleanca për Shqiptarët do të vendos që koalicioni parazgjedhor të jetë trepalësh, konkretisht ASH-BESA dhe Alternativa. Është pikërisht ASH e Ziadin Selës që pritet të jap përgjigje në ofertën përfundimtare të BESËS, ofertë kjo që më së shumti ka në fokus Njësinë e gjashtë zgjedhore, aty ku ka edhe më shumë deputetë. Zyrtarë të BESËS thonë se paraprakisht, janë pajtuar me ofertën e Aleancës për Shqiptarët që në Njësinë e gjashtë zgjedhore, bartësi t’i takojë Ziadin Selës, i pasuar nga Bilall Kasami. Në Njësinë e dytë zgjedhore, BESA është pajtuar që bartësi të jetë i ASH-së, ashtu sikurse në Njësinë e pestë zgjedhore. Madje, në Njësinë e pestë zgjedhore, edhe i dyti me radhë do të jetë i ASH-së, por me kusht që në Njësinë e gjashtë zgjedhore, ndarja e listës të jetë 50=50. BESA, sipas ofertës, bartës do të ketë vetëm në Njësinë e parë zgjedhore.
Me këtë, siç merr vesh gazeta KOHA, BESA ka insistuar që në Njësinë 6, kreu i saj Bilall Kasami të jetë i dyti në radhë, pasi Njësisë 6 i duhet një kandidat që vjen nga Tetova, ndërsa numrat e radhës të ndahen 50=50 me ASH-në. Sipas matematikës që BESA është pajtuar me ndarjen e listave, partisë së Kasamit i takojnë 35 për qind e kandidatëve, partisë së Selës 65 për qind. Por, siç thonë burime të BESËS, kjo ofertë – edhe pse fillimisht e parashtruar nga ASH, akoma nuk ka një përgjigje konkrete. Madje, siç thonë në BESA, vet ASH po thyhen parimet pasi vazhdojnë bisedimet me Alternativën, edhe përkundër asaj se partia e Afrim Gashit u vetpërjashtua nga koalicioni trepalësh. “Ishim marrë vesh që, ajo parti që vetpërjashtohet, të mos ftohet më në koalicion”, thonë në BESA, por shtojnë se ky parim u thye nga ASH. Në partinë e Kasamit shprehen të sigurt se koalicioni ASH-BESA fiton BDI-në në Njësinë 6 zgjedhore, ndërsa me këtë, edhe në Njësinë 2 zgjedhore del baras.
“Të jemi realist, në Pollog, pjesën më të madhe të pushtetit e ka ASH dhe BESA dhe këtu duhet të fokusohemi më së shumti, ashtu sikurse në Njësinë e dyte zgjedhore, ku jemi të sigurt se dalim baras apo edhe fitojmë ndaj BDI-së. Ajo që është më kryesorja, në Pollog do të marrim shumicën e mandateve dhe BDI më në fund do të pësojë humbje të thellë”. Ne, thonë në BESA, shpresojmë se oferta e ASH-së, tashmë e pranuar nga ne, do të kurorëzohet dhe të jetë koalicioni fitues i 12 prillit.
Megjithatë, duket se ASH-së i bën përshtypje oferta e Alternativës së Afrim Gashit për Njësinë 6 zgjedhore. KOHA merr vesh se, sipas ofertës së Alternativës, bartës i Njësisë 6 të jetë Ziadin Sela, i pasuar sërish nga ASH, ndërsa Alternativa të ketë kandidat të saj me numrin rendor 4 apo 5. Në Njësinë 5 zgjedhore, ASH do të ketë bartësin, ndërsa i dyti në radhë të jetë kandidati i Alternativës, ndërsa si emër përmendet Arben Llabënishti. Në Njësinë e parë zgjedhore, ASH akoma nuk e ka definuar se kujt do t’i takojë bartësi, ndërsa Alternativa kërkon që Orhan Murtezani të jetë bartës. ASH, siç prejudikojnë në BESA, ka dëshirë më të madhe për koalicion me Alternativën, pasi kërkesa e kësaj të fundit për Njësinë e gjashtë zgjedhore është shumë më e ulët se e BESËS. ASH, si argument ndërkohë e përmend forcimin e Njësisë 1 dhe 2, ndërsa shpreson se Alternativa ka mjaft vota për deputet në këto dy zona.
Se me të vërtetë ka pak gjasa në arritjen e koalicionit trepalësh, ka deklaruar edhe Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari. Për TV21, ai ka thënë se po përpiqen të amortizojnë problemet mes palëve, edhe pse kjo është bërë e vështirë. “Unë me sa e shoh probabiliteti dhe gjasat për këtë koalicionim trepalësh po zvogëlohen. Gjasat për t’u ulur tre palët bashkë, nuk është e mundshme. Së shpejti, ma merr mendja për disa ditë ne si Kryesi qendrore duhet të ulemi dhe të sjellim vendimet përfundimtare të ASH se si do të vazhdohet më tutje”, është shprehur Taravari, ndërsa nuk ka theksuar se me cilën parti, ASH është më afër marrëveshjes për koalicionim.
Deri më tani, si emra të sigurt për deputet BESA përmend Bilall Kasamin në Njësinë e gjashtë zgjedhore dhe Kastriot Rexhepin në Njësinë e parë. Në ASH përmendet Ziadin Sela në Njësinë e gjashtë, Remzi Memeti në të pestën, deputeten aktuale Arta Toçi, si dhe Elmi Aziri në Njësinë e dytë zgjedhore. Në ndërkohë, Alternativa do të garojë me Afrim Gashin në Njësinë e dytë zgjedhore, Asaf Ademin në Njësinë e gjashtë, si dhe Orhan Murtezanin apo Rexhep Memedin në Njësinë e parë zgjedhore. (koha.mk)