Çdokush që e dëshiron dhe përkushtohet në rrugën euro-atlantike, përfshirë edhe Alternativën, është i mirëpritur në Qeveri. Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, pret që pjesë e shumicës të bëhen edhe parti që ishin pjesë e nismës së dështuar për rrëzimin e Qeverisë.
“Konsiderojmë se shumica parlamentare do të stabilizohet, do të jetë më e madhe se sa është tash dhe se duhet ta përfundojë mandatin deri në vitin 2024. Zgjedhje të parakohshme ndoshta mund të diskutohen bashkë me zgjedhjet presidenciale që duhet të mbahen në prill-maj 2024”, tha zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Kryesia e Alternativës mbrëmë i dha dritë jeshile kryetarit Afrim Gashi që të nisë bisedimet me të gjithë aktorët politik, përfshirë kryeministrin Zaev dhe eventualisht mandatarin e ri, për të parë se cili është koncepti i tyre për dalje nga kriza.
“Pas shumë diskutimeve konkluzioni i përgjithshëm i Kryesisë Qendrore të alternativës ishte që ne duhet t’i japim shans stabiliteti dhe vazhdimësisë që vendi mund të shpresojë për datë për fillimin e negociatave me BE-në”, u shpreh Orhan Murtezani – zëdhënës i Alternativës.
Hyrja e Alternativës në Qeveri mbrëmë është përmendur edhe në kryesitë e LSDM-së.
“Kryetari i partisë informoi se shumica parlamentare është e qëndrueshme dhe se e njëjta do të rritet. Po ashtu informoi se ka hapësirë për hyrje të Alternativës, gjë për të cilën do të vazhdojnë bisedimet”, potencoi Bogdanka Kuzevska – zëdhënëse e LSDM-së.
Shumica e qëndrueshme parlamentare duhet edhe për bisedimet me Bullgarinë, pohon eurodeputeti bullgar Ilhan Quçuk.
“Duhet të ketë Qeveri e qëndrueshme në Maqedoninë e Veriut, shumicë e qëndrueshme në Bullgari që të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, deklaroi Ilhan Quçuk – eurodeputet bullgar.
Ka kohë që qeveritarë të vendit pohojnë se shumica parlamentare tashmë i ka 61 deputetë, po pa treguar se cilët janë ata. Për momentin maxhoranca ka 59 deputetë. Pritet që i 60-ti të jetë deputeti Kastriot Rexhepi që nuk votoi rrëzimin e Qeverisë, por i 61-ti mbetet i panjohur!/ tv21