Piloti spanjoll Fernando Alonso do të garojë edhe vitin 2019 me makinën McLaren, por për vetëm një garë të veçantë. Lajmi është konfirmuar nga Zak Brawn, shefi i makinës angleze, që tha se më datën 26 maj, dy herë kampioni i botës në Formula 1 do të garojë në garën 500 milje të Indianapolis me makinën McLaren.
Spanjolli do të tentojë edhe një herë të fitojë “Triple Crown” (kurorën e trefishtë), që e merr piloti që ka fituar të paktën një herë në garën e Montekarlos në Formula 1, garën 24 orëve të La Manshit dhe garën 500 milje të Indianapolisit. Deri më tani Alonso ka fituar dy të parat dhe pret suksesin në Indianapolis.
“Unë e kam thënë me kohë që dua të realizoj ëndrrën time për të fituar “kurorën e trefishtë”. Pas përvojës së jashtëzakonshme në vitin 2017 në Indianapolis do të tentoj sërish vitin tjetër dhe falënderoj McLaren që më dha mundësinë ta provoj me këtë makinë. Jam i kënaqur që ata më besojnë mua këtë sfidë, duke vijuar bashkëpunimin. Është një garë e vështirë, një sfidë e madhe, por jemi pilotë dhe për këtë adrenalinë garojmë gjithnjë”, tha Alonso.