Ëndrra e Fernando Alonso për të fituar “triple crown” (kurorën e trefishtë) ka dështuar, të paktën për momentin. Piloti spanjoill nuk ka mundur të kualifikohet për në garën Indy 500, duke u renditur në vendin e 34-t mes 36 pilotëve që konkurruan për të marrë pjesë në garë
Në xhiron e shpejtë që 2 herë kampioni i botës në Formula 1 realizoi gjatë provave zyrtare në pistën e Indianapolis, arriti shpejtësinë 365.810 km/orë. Ndërkohë që vendi i 33-të dhe i fundit që u kualifikua arriti shpejtësinë 365.841 km/orë.
“Ishte një javë e vështirë, por përgëzoj skuadrën për impenjimin. Nëse nuk u kualifikuam në garë do të thotë që nuk ishim të shpejtë sa duhet. Dhashë maksimumin për të arritur kualifikimin, duke e mbajtur këmbën te gazi deri në finish. Jam i zhgënjyer, por do ta provoj vitin tjetër”, tha Alonso.
Trofeun e “triple crown” e fiton piloti që në karrierën e tij ka triumfuar në garën e Montekarlos në Formula 1, atë 24 orëshe të La Manshit dhe atë Indi 500. Spanjolli ka fituar dy të parat, por ende nuk ka triumfuar në garën e Indianapolisit, por këtë objektiv mund ta provojë vitin tjetër.