Industria e medias duhej t’i nënshtrohet vettingut (me pronarë e gazetarë) shumë më herët se drejtësia, për shkak se është duke i shkaktuar shumë dëm asaj shoqërie dhe vet demokracisë. Sa dëm, u ka shkaktuar, shkakton akoma dhe do shkaktojë, troç e pat thënë Rama, “akoma s’kemi parë gjë”. Për situatën atje, mediat kanë shumë më shumë faj se të gjitha grupet tjera së bashku. Informacione të helmuara dhe të shtrembëruara shkaktojnë shumë më tepër dëm se sa armët vrastare në masë
Nga Shaqir ISLAMI
“Opinion” është bërë si bozë e athët e bozaxhiut “Ke Deari”. Dhe të ngjashmit si ky. Industria e medias e ka shpërfytyruar veten si vet shteti. Ashiqare duket se, që të dytë kanë larë lesh. Shkurt e shqip, e kanë humbur busullën. Me të drejtë, gazda-Rama i përbuzë mediat e këtillë si qentë endacak; mbase harxhon shumë për ta! Tashmë dihet botërisht se janë të korruptuar deri n’fyt. Ky pat thënë:”Akoma s’keni parë gjë !”. Së pari, i stolisi me “Roleks’a”, i shndërroi në ‘Roleks – gazetarë’ dhe ua krijoi vartësinë ndaj “dolçe vitës”. Të gjithë i zhyti në kazan, me pronarë e gazetarë! Merita e vetme e Ramës.
Mediat, pasi e sollën në pushtet, janë të obliguar të lehin si Kerberët e tij; sepse, duke e mbrojtur atë e shfajësojnë veten; kasta e Kerberëve janë të maskuar me bashkën e gazetarit, ekspertit, akademikut, artistit, patriotit, … të gjithë këta janë shndërruar në persona publik të besueshëm për qytetarin e rëndom. Ndërsa, janë vetëm argatë politikë apo mercenarë, po deshët. Kerberët janë të shpërndarë në çdo media. Sfera publike është e zaptuar. Çdo kanal apo platformë e komunikimit mbahet e ngirë me informacion nga dueti Rama &Erioni, (ngjasojnë si Motrat Mustafa) me qëllim që të mbetet sa më pak hapësirë për informacionet e opozitës. Formulë e thjeshtë e propagandës.
E ndoqa “Opinionin”, për shkak se ishte mysafir Z. Berisha. Atë natë më ngjasoi si Herakli midis betejës me Kerberat e Hadit. Skena, po e njëjta, gjysma e ‘krijuesve (prodhuesve) të mendimit’ janë me fanellë të ps, gjysma tjetër pd, dhe autor i emisionit ‘kinse neutral’, sa për ta lozur parimin e objektivizmit në gazetari. Por hilen, konsumatorët e zakonshëm të prodhimeve të medias nuk e kapin dot. Dhe sërish e sërish manipulohen nga “Opinioni”, i cili, qysh nga 2013’ta ka shërbyer (me ose paqëllim) si Kalë i Trojës së Edi Ramës për grabitjen e pushtetit. Te komshinjtë pushteti nuk u fitua, u grabit me ustallëkun e Alastair Campbellit, me një slogan “të pshurrët dhe të thjeshtë si pasuli” – “Fajin e ka Saliu”!
Mjeshtri i komunikimit strategjik Campbell, jo Ramën dy metërsh, por edhe Miki Mausin e kishte bërë Kryetar Qeverie në Shqipëri. Por, së pari duhej të korruptohen mediat. Këtë e bëri kollaj Rama. Kaq i mjaftonte Campbellit që me teknika të propagandës, figurës politike të Sali Berishës t’ia ngarkojë faje të natyrave të ndryshme: si politike, ekonomike, ideologjike … Natyrisht se, duhej të shfrytëzohet bagazhi i vjetër i ‘Operacioneve Psikologjike’ me regji të agjencive të posaçme, duke e shfrytëzuar rrjetin e gjerë të argatëve të ashtu quajtur “shtylla e pestë” që në politikë njihet si “quinta columna”. Rastet si: piramidat financiare, katrahura e 97’ës, Gërdeci, shfaqja burleske e 21 Janarit, … të gjithë këtë bërllok politik usta i Spinit Campbell i ngjeshi dhe i ngjizi në sloganin-sheqerkë të helmuar: “Fajin e ka Saliu”. Ky slogan e çimentoi armikun e popullit. Hapi themelor i propagandës.
Pastaj, Campbell, , Ramën dy-metërsh e shndërroi në viktimë të Berishës. Pisistrati nga Athina e lashtë, është shembull i këtij lloj-politikani. Sikur libri i tij “Kurbani” të ishte ide e Ramës, ai do quhej Viktima – e jo Kurbani! Kurbani, ka kuptim psikologjik tek pjesa dërmuese e qytetarëve në Shqipëri. Kurbani i aktivizon emocionet e mëshirës për viktimën, ndërsa i ndjell emocionet e urrejtjes ndaj dhunuesit të viktimës. Sekush e simpatizon minushin Jerry, ndërsa e urren maçokun Tom! Kjo është njerëzore, në çdo shoqëri; dhe kështu u mobilizua publiku i përgjithshëm (i madh e i vogël) për ta mbrojtur viktimën nga dhunuesi. Mjaftojnë vetëm këto dy teknika të thjeshta që t’i ndjellin emocionet e fuqishme të urrejtjes, të mllefit, ….
Dhe për çudi, edhe pas pesë vitesh të kaluara në opozitë, një shumicë e publikut të përgjithshëm mbarë-shqiptarë me mediat tok, akoma janë të bindur se për të gjitha hallet dhe mjerimet në atë shoqëri: “Fajin e ka Saliu”! Kjo histori politike tashmë do duhej të ishte studiuar nga qarqet akademike dhe të zbulohet se si u manipuluan qytetarët! Ndonëse atje dukuria politike e Opinionit Publik, njihet ‘fukara ishi’, ose është i vulgarizuar skajshmërish ! Ky është mjerim i madh. Campbell e manipuloi publikun syçelë të Britanisë së Madhe, e lëre më një publik naiv të pa formësuar akoma dhe plus axhami të Shqipërisë. Publik, akoma i pa mbrujtur Ky është defekti i demokracisë atje.
Opinioni Publik s’mund të ngjizet pa mediat. Në emisionet e debatit, së pari shqyrtohet tema, nga “ekspertë” dhe “prodhues të mendimit”, ku debatohet me zjarrmi dhe emocione duke i ngatërruar qëndrimet me mendimet; pastaj ‘liderët e opinionit’ lokal rrymën e mendimit që dominon ambientin në emision ua shpjegojnë grupeve të vogla në komunikimin ndër-personal,; në shtëpi, në kafene, në shesh, në Pazar, në autobus, … e sidomos në rrjetat sociale. Si çdo zanat që ka hile, edhe organizimi i programit me debat politik, i ka të vetat. Me teknikat e propagandës ose të sinonimit të saj anglo–sakson “Marrëdhënieve me Publikun”, emisioni debativ lehtësisht ndërtohet në atë mënyrë që publiku i përgjithshëm të manipulohet dhe të mashtrohet; pa hetuar fare. Kjo është një fazë e menaxhimit të informacionit dhe ngjizjes së Opinionit Publik; i cili në ditën e zgjedhjeve universale shprehet si vullnet i popullit. Mediat vetëm ndërmjetësojnë në procesin e komunikimit politik, thjeshtë shërbejnë si platforma nga ku politika i flet qytetarit. Por, mediat ndikojnë fuqimisht në formimin e rrymës së mendimit duke seleksionuar informacionin. Në zgjedhjet e 2013’ës, opinioni publik u manipulua që ta arrijë efektin e njohur në votime si “rrëshqitja e tokës”. Pasojat dihen. Për ardhjen e këtij pushteti, fajin e kanë mediat, jo Saliu! Me ose paqëllim!
Menaxhimi i Opinionit Publik arrihet me teknika të thjeshta të propagandës domosdo me shfrytëzimin e mediave, të cilat ndiqen nga publiku i gjerë. Debati politik në media është rrahje mendimesh, midis dy palëve që kundërshtohen, të cilin e udhëheq gazetari “neutral”. Funksioni i debatit të organizuar qëndron në formësimin e rrymës së dëshiruar të mendimit. Këto emisione nuk kanë funksion sporti, si garë pehlivanësh ku vetëm përleshen mendimet ose qëndrimet, sa për ta argëtuar publikun e përgjithshëm ! Për fat të keq, mediat kanë degraduar në atë derexhe, në vetëm dëfrimin e publikut.
Në këto emisione ‘prodhuesit e mendimeve’ (opinion makers) përdoren si vegla të manipulimit; këta mund të jenë “gazetarë të shquar edhe me Roleks”, “ekspertë” të fushave të ndryshme, “profesorë me PhD”, individë me “bagazh publik”; pra, këta e gëzojnë besimin e publikut dhe mu për këtë shkak përdoren si ‘agjentë të ndikimit ‘; këta mbrojnë dhe mbështesin kauza të llojllojshme: politike, ekonomike, sociale, kulturore, sigurie, ekologjike, fetare… që kanë të bëjnë me interesin publik. ‘Prodhuesit e mendimit’ i janë të njohur publikut të përgjithshëm, për shkak se qarkullojnë shpesh në platformat e komunikimit. Natë për natë ata lëvizin nga një platformë tek tjetra dhe shtirren si mbrojtës të flakët të interesit publik; prandaj, gëzojnë autoritet të posaçëm tek publiku i përgjithshëm. Realisht i mbrojnë interesat personale; në çdo dalje para publikut shtirren si të ndershëm dhe pa konflikte interesi. Ndërsa, shumica nga ta janë apologjetë të pushtetit. Disa e shprehin haptazi animin, disa janë të fshehur duke dashur të ruajnë një çikë burrërinë.
Kjo bandë e ‘krijuesve të mendimit’ janë segmenti më i dëmshëm në shoqërinë e tyre. Në shumicën e rasteve, përkrahin dhe mbrojnë haptazi rryma të mendimeve defetiste, të pashprese, gati nihiliste për shoqërinë e tyre; ku çdo vlerë e shoqërisë, traditë, virtyt, edhe historia kombëtare, identiteti kombëtarë, simbolet kombëtare, mithet politike, … vazhdimisht përbuzen, nënçmohen, gërryhen, rrënohen, zhvlerësohen dhe fyhen lehtësisht. Në këto emisione askush nuk mban përgjegjësi për fjalën e thënë. Me papërgjegjësi të paparë qarkullojnë fjalë helmues të mbarë shoqërisë; dhe sërish askush nuk bartë përgjegjësi! Çdo fjalë dhe marrëzi e thënë mbrohet me “lirinë e mendimit dhe të fjalës”! Fjala në media e ka humbur kuptimin. Ngimja e kanaleve të komunikimit me lajme negative dhe përhapja e vazhdueshme e rrymave të mendimeve nihiliste dhe të pashpresë, është ndër faktorët më të rëndësishëm që ky shtet boshatiset. Kjo vjen nga se nuk ka filtër të informacionit: si këtu, si në Kosovë. Në të dy shtetet ka anarki dhe tirani të fjalës së lirë; liri e tepruar e së shprehuri që çon deri në shpërfytyrimin dhe papërgjegjësinë marramendëse ndaj fjalës së lirë. Çomski dhe Herman thonë se në SHBA ka pesë filtra të informacionit!
Perceptimi i përgjithshëm është se qëllimisht mbillet apatia, letargjia dhe pashpresa në shoqëri, që pjesëmarrja në proceset demokratike të jetë sa më e vogël. Atje ka një demokraci të sëmurë që dhunohet pamëshirshëm nga kleptokracia. Mediat e shpërfytyruan demokracinë bashkë me krimin e organizuar. Fajin për këtë e ka media, jo Saliu! Letargjia dhe apatia në shoqëri e sëmurë akoma demokracinë; thënë troç, e çorienton tërësisht shoqërinë. Nuk dihet se çka është mirë e çka është keq për individin. Individi hutohet vazhdimisht dhe jeton i trullosur. Vendos për abstenimin e votës dhe mospjesëmarrjen në proceset e demokracisë. Abstenimi e ngulfat demokracinë. Ky është suksesi i vetëm politik i Ramës. Dhe, këta akoma nuk paskëshin parë gjë!
Aktualisht, në këto emisione debative mbizotëron strategjia e mohimit në narrativin politik, që i relativizon qëllimisht të bëmat e qeverisë së kaluar me qeverisjen aktuale duke shkaktuar ambiguitetin në publik. Teknikë e përdorur nga Campbelli në B.e M. Ky narrativ politik shërben për ta shfajësuar dhe arsyetuar kleptokracinë skandaloze Rama 2. Dhe ky narrativ përtypet si çamçakëzgati nga të gjithë ‘krijuesit e mendimit’ të cilët natë për natë nëpër media përtypin, masturbojnë gojarisht dhe lehin si Kerberë për ta mbrojtur të zotin e tyre; i cili nuk e fsheh fare se: këta ushqehen në kazanin e tij! Ka gazetarë që shkruajnë dhe mendojnë bukur, ka nga ata që dinë të shprehen bukur dhe janë më elokuent se të tjerët. Në TV bind elokuenti, ai që flet bukur; në shtyp ai që shkruan bukur. Nëse i kushtohet një çikë vëmendje dhe analizohet “Opinioni” (dhe emisionet tjera të këtij lloji) në vazhdimësi, parimi i paanshmërisë dhe objektivizmit akoma shërben si vegël për ta mashtruar publikun.
Si mbrojtës të kauzës së opozitës zakonisht zgjidhen ‘krijues të mendimit’ që nuk janë të gojës; pra nuk janë folës të rrjedhshëm dhe bindës, dhe për shkak të këtij defekti më shumë krijojnë huti dhe dykuptimshmëri se sa i shpjegojnë publikut argumentet politike të opozitës. Si mbrojtës të argumenteve politike të opozitës, në “Opinion” e keni Preç Zogajn (dhe të zgjedhur të tjerë) i cili mund të jetë burrë i ndershëm, i mençur, i ditur por kur e shpalos argumentin, me gjuhën e trupit, gjendet në siklet të madh derisa e shpreh qëndrimin. Më shumë i bën dëm opozitës se sa e ndihmon. Marku po ashtu. Peka njëlloj. Por, dikush ka interes dhe insiston që këta të jenë sa më shpesh nëpër platforma dhe ta mbrojnë kauzën e opozitës.
Industria e medias duhej t’i nënshtrohet vettingut (me pronarë e gazetarë) shumë më herët se drejtësia, për shkak se është duke i shkaktuar shumë dëm asaj shoqërie dhe vet demokracisë. Sa dëm, u ka shkaktuar, shkakton akoma dhe do shkaktojë, troç e pat thënë Rama, “akoma s’kemi parë gjë”. Për situatën atje, mediat kanë shumë më shumë faj se të gjitha grupet tjera së bashku. Informacione të helmuara dhe të shtrembëruara shkaktojnë shumë më tepër dëm se sa armët vrastare në masë. Mediat janë duke e çmendur atë shoqëri të çorientuar. Për të gjitha këto dëme: Nuk e ka fajin Saliu. Fajin e ka Media. (koha.mk)