Max Allegri mund të rikthehet si trajner i Milanit sezonin e ardhshëm 2018-2019, ku do të zërë vendin e Vincenzo Montella, që nuk po bind me rezultatet e tij këtë sezon. Sipas të përditshmes italiane “La Repubblica”, drejtuesit e klubit kuqezi po mendojnë që të rikthejnë në stolin trajnerin Allegri, që aktualisht drejton Juventusin. Për të do të ishte një rikthim në stolin e Milanit, ku qëndroi për katër sezone (2010-2014) dhe më pas u largua për të drejtuar bardhezinjtë. Trajneri juventin është në “pole” për të drejtuar skuadrën e Milanit, ndërkohë që alternativa janë edhe Antonio Conte e Carlo Ancelotti, i pari trajner i Chelsea dhe i dyti pa ekip, pas shkarkimit nga Bayern Mynih.
Por gjithçka do të vendoset nga rezultatet që do të arrijë trajneri aktual i kuqezinjve, Vincenzo Montella, të cilit i kërkohet një vend në Champions League sezonin tjetër. Edhe pse kuqezinjtë kanë bërë një merkato të fuqishme, duke shpenzuar 200 milionë euro, rezultatet në fushë, deri më tani, nuk po duken. Ndaj Fasssone dhe Mirabelli po shohin përreth, duke menduar për një zëvendësues të denjë, një trajner me përvojë dhe që mund të rikthejë skuadrën në nivelet e dikurshme. Allegri mbetet kandidati kryesor, por edhe një rikthim i Ancelotti nuk përjashtohet, ndërsa Conte ka ende një kontratë me “blutë e Londrës”. Gjithsesi, Montella ka kohë deri në maj për të bindur drejtuesit për të qëndruar, por pa Champions konfirmimi duket tabu.