Cristiano Ronaldo është gjithmonë në qendër të vëmendjes. Pas tri javëve të para të Serisë A, ai është akoma i ndalur në kuotën e zero golave të shënuar. Por, Juventus, nga ana e saj, ka realizuar shtatë gola me golashënues të ndryshëm. CR7 është emri i madh që mungon, një gjë shumë e çuditshme për një lojtar që në karrierën e tij ka shënuar gjithmonë shumë.
Për këtë arsye, duke filluar që nga sfida e ardhshëm e “Zonjës së Vjetër” kundër Sassuolo-s, bardhezinjtë dhe Massimiliano Allegri do të provojnë ta zhbllokojnë në çdo mënyrë. Arma më e fortë e kampionëve të Italisë në këto ndeshje të para ka qenë loja nga krahët, ku Cancelo dhe Cuadrado në të djathtë dhe Alex Sandro në të majtë kanë dhënë shumë pasime dhe krosime në zonën e rreptësisë.
Deri tani, katër nga shtatë golat e realizuar në total nga “Zonja” kanë ardhur nga një krosim. Realizimet ndaj Chievo-s, ai i Khedira-s dhe më pas autogoli i Bani-t, ashtu si goli i Bernardeschi-t, kanë ardhur nga aksione të nisura në krah. Edhe në Parma, goli i Mandzukic ka ardhurr pas një krosimi të Cuadrado-s nga krahu i djathtë.
Vetë kroati, edhe në ndeshjet e parë kundër Lazio-s, ka shfrytëzuar një pasim nga e majta dhe daljen huq të CR7 për të dërguar topin në rrjetë. Deri më sot, Ronaldo është “peshkuar” tetë herë në zonën e rreptësisë, por pa mundur të shfrytëzojë asnjë rast në mënyrën e duhur.
Për këtë arsye, ideja e Allegri-t është ajo që të vazhdohet me këtë stil loje. Krosuesit nuk mungojnë, siç tregojnë 79 krosimet e bëra nga bardhezinjtë në këtë kampionat, më shumë se çdo ekip tjetër në Serinë A. Skema nuk do të ndryshojë as kundër Sassuolo-s dhe shpresa është se një nga këto pasime/krosime, që sigurisht nuk do të mungojnë, do të kthehet më në fund në gol nga asi portugez.