Omer XHAFERI
Shkup, 26 janar – Dhjetë të dyshuarit për “tentim vrasje” të deputetit dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, të premten u ulën në bankën e të pandehurve në Gjykatën Penale të Shkupit, shkruan gazeta KOHA. Përfaqësuesi i aktakuzës nga Prokuroria Publike, Darko Jakimovski, në fjalët hyrëse tha se të akuzuarit paraqesin vetëm një pjesë të ngjarjes dhe veprimeve penale që janë regjistruar mbrëmjen e 27 prillit të viti 2016 që ndodhën në Parlamentin e Maqedonisë. Listën e personave të akuzuar për këtë vepër penale e kryesojnë babai dhe i biri, Cejo dhe Kire Gjeorgjievski, Andrea Micov, Stojan Pavlevski, Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov, Aleksandar Janevski, Sasho Senkov, Oliver Oshakovski dhe Nikollçe Dimitrievski.
Deputeti i ASH-së, Ziadin Sela, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Publike e Shkupit, pas sulmit dhe rrahjes ekstreme nuk ka dhënë shenja jeta, me çka të dyshuarit janë larguar, duke menduar se ai ka ndërruar jetë. Pendimi apo vetëdija e këtyre të akuzuarve, siç tha prokurori publik Darko Jakimovski, nuk janë arsyeja bazë se pse deputeti Sela sot është në mesin tonë. Por fakti është se nga rrahja brutale, ai nuk ka lëvizur fare dhe të dyshuarit për “tentim vrasje” e kanë lënë në atë gjendje duke menduar se Sela ka vdekur.
“Me prezantimin e dëshmive në këtë proces gjyqësor, ne do të vërtetojmë se në çastet e sulmit dhe rrahjes ekstreme që i është nënshtruar Ziadin Sela, ndërgjegjja e të akuzuare nuk ka qenë shkak për të shpëtuar ai. Ekspertiza e kryer nga mjekësia ligjore në masë të madhe do të sqarojë se të gjitha lëndime, pala e dëmtuar i ka në pjesën e kokë. Paralelisht me prezantimin e këtyre fakteve, përmes dëshmisë së këtyre ekspertëve do të vërtetojmë se lëndimet e rënda trupore kanë qenë rrezik për jetën e tij. Njëkohësisht, do të sqarohet edhe lloji i lëndimeve, mjetet me të cilët janë shkaktuar ato goditje dhe pasojat nga të njëjtat”, tha prokurori Jakimovski.
Përshkrimi e shkurtër i aktakuzës, sipas prokurorit të rastit në fjalë, u realizua pa prezantimin e numrit dhe llojit të dëshmive, me të vetmin qëllimi respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë. Megjithatë, të gjitha fotografitë, xhirimet dhe provat tjera materiale, ai shtoi se do të publikohen ashtu siç rrjedhin fazat e procesit gjyqësor. Pala mbrojtëse e të akuzuarve, pas dëgjimit të fjalëve hyrëse të prokurorit, theksoi se kjo aktakuzë nuk është e qëndrueshme. Qëndrimi i shumicës prej tyre ishte se për të qenë një aktakuzë e qëndrueshme, duhet të ekzistojë qëllimi i theksuar, e kjo siç thanë ata – nuk figuron në aktakuzë. Avokati i të akuzuarit Stojan Pavelski, mes tjerash shtoi se klienti i tij nuk ka marrë pjesën në rrahjen e deputeti Ziadin Sela,por përkundrazi – ai ka asistuar në shpëtimin e tij. Për këtë shkak, ai kërkoi lirim nga aktakuza dhe kërkim-falje nga ana e prokurorisë. Nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarit Kosta Dellov (i cili ishte lavdëruar në rrjetet sociale se “ndjenjë e mirë ishte goditja e Selës”), theksoi se klienti i tyre në Parlament është futur pas hapjes së dyerve nga turma e madhe dhe se kjo ka ndodhur si shkak i emocioneve të përziera.
Tutje, edhe pse në këtë proces si i dëmtuar paraqitet vetëm deputeti Sela, pjesë e kësaj lëndë gjyqësor janë një varg dëshmitarësh duke filluar nga deputetë, ministra dhe punëtorë medial. Në mesin e dëshmitarëve, të cilët të premten u paraqit të jep deklaratë, ishte edhe ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Maçevski. Ndërkohë, deputetit Muhamed Zeqiri ftesa për pjesëmarrje në seancë gjyqësor, në cilësinë e dëshmitarit nuk i ishte dorëzuar me kohë. Nga ana tjetër, paraprakisht edhe pse e kishte pranuar ftesën për dëshmitarë në këtë proces, kryeparlamentari Talat Xhaferi e kishte njoftuar Trupin gjykuesse për shkak të obligimeve zyrtare, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në seancë. Ndryshe, deputeti Sela kësaj radhe nuk ishte prezent në sallën e gjykatës, por qëndrimin e tij e përfaqësoi avokati Abdul Abdyli. Seanca e radhës për këtë lëndë gjyqësore është caktuar të mbahet me datë 8 shkurt, kur edhe pritet që dëshmitë e tyre t’i prezantojnë ekspertët nga Instituti për mjekësi ligjore, dy gazetarë të cilët atë mbrëmje kishte qenë në pres-qendrën e Parlamentit dhe vetë i dëmtuari Ziadin Sela. (koha.mk)