Aliti: Ta bëjmë vendin tonë të lumtur sonte

Mbrojtësi Fidan Aliti është i etur t’i ndihmojë Kosovës ta mposhtë Bullgarinë në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian sonte në Sofje, për ta bërë të lumtur vendin e vet, me atë që do të ishte fitorja e parë e verdhekaltërve në një fushatë kualifikuese.

Bullgaria e pret sonte Kosovën në stadiumin kombëtar Vasil Levski në Sofje, në ndeshjen e rrethit të katërt të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

Qendërmbrojtësi i klubit suedez Kalmar, Aliti, është në kërkim të golit të parë me Kombëtaren, fanellën e së cilës e ka djersitur në 13 ndeshje.

25-vjeçari dëshiron t’i bëjë të lumtur bashkatdhetarët e vet duke i ndihmuar Kosovës të arrijë një fitore historike në Sofje.

“Ta bëjmë vendin tonë të lumtur sonte”, shkroi ish-mbrojtësi i Skënderbeut në llogarinë e vet zyrtare në Instagram.

Verdhekaltrit vijnë nga një barazim zhgënjyes me Malin e Zi të premten në Podgoricë dhe kanë udhëtuar drejt Sofjes me katër mungesa shumë të rëndësishme, mesfushorët kryesorë Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala, të cilët mungojnë si pasojë e lëndimeve, dhe futbollistin e tyre më të mirë, Arbër Zenelin, i cili u dëmtuar rëndë ndaj malazezëve.

Kosova debutoi në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian pikërisht kundër Bullgarisë me një barazim 1:1 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në muajin mars. Ngjashëm si atëherë, edhe të premten djelmoshat e Bernard Challandes barazuan 1:1 me Malin e Zi dhe tani kanë dy pikë nga po aq ndeshje, në një grup të cilit i prin Anglia me gjashtë pikë.

Që prej pranimit në FIFA dhe UEFA më 2016, Kosova ka marrë pjesë në dy cikle kualifikuese deri tani. Në kualifikime për Kampionatin Botëror 2018, të parin ndonjëherë, duke regjistruar nëntë humbje dhe një barazim në 10 ndeshje.

Dhe tani në kualifikime për Kampionatin Evropian 2020, në dy ndeshjet e para të së cilit ka barazuar dy herë. Sonte kundër Bullgarisë, “Dardanët” kanë mundësinë ta regjistrojnë fitoren historike, të parën ndonjëherë në një garë të tillë.